“Më kërcënuan me vdekje” (Video)

21:39 / 10.01.2013

Haki Haziri, njëri nga të akuzuarit për rastin “Monstra”, ka folur sot për herë të parë në gjykatë, lidhur me arrestimin e tij dhe kërcënimet që i kanë bërë inspektorët e policisë.

Haziri tha se nga 1 deri 7 maji i vitit 2012, kur askush nuk dinte për fatin e tij, policia e ka mbajtur atë në qytetin e Koçanës, duke i thënë se do ta lirojnë për dy ose tre ditë. Haziri tha se inspektorët e kanë kërcënuar me vdekje nëse nuk pranonte se Alil Demiri ka kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

“Kur më arrestuan, inspektorët më kërcënuan se do të më dënojnë me 20 vjet burg ose nuk do të lëshojmë më të gjallë, nëse nuk pranoja se Alil Demiri ka kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Deklaratën që kam dhënë në hetuesi, nuk e kam dhënë me dëshirën time”.

Haki Haziri tha se ka presione të shumta dhe paralajmëroi se mund t’i ndodhin edhe gjëra të padëshiruara, gjatë mbajtjes në burg, raporton “Alsat-M”.

“Nga dita e sotme, nëse më ndodhë diçka, dëshiroj që ta dini të gjithë: mund të më ndodhë vetëm prej shtetit, pasi jam i rrezikuar. Unë nuk do të bëjë kurrë vetëvrasje...”.

Avokati Naser Raufi sot nuk u lejua nga gjykata që ta pyeste Haki Hazirin lidhur me statusin e tij si dëshmitar i mbrojtur. Por, Haziri tha se ai nuk i ka ditur procedurat gjyqësore dhe se kanë tentuar që ta bëjnë atë dëshmitar të mbrojtur.

“Në momentin kur e kam kuptuar se çfarë do të thotë dëshmitar i mbrojtur, kam kërkuar që të dalë në gjyq, pasi nuk kam dashur që ta merrja atë status. Deklaratën për dëshmitarin e mbrojtur në hetuesi, e kam dhënë në presion”

I akuzuari Haki Haziri dënoi vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, duke shtuar se për herë të parë në jetën e tij kishte shkelur në një stacion policie. Ai hodhi poshtë aktakuzën në pjesën ku thuhet se ai i ka vozitur vrasësit, duke shtuar se as që ka marrë ndonjë person e ta dërgojë të vrasë ndokënd.

Haziri tha se në natën e 12 prillit, kur kishte ndodhur vrasja, ai së bashku me kushërinjtë e tij ka qëndruar në shtëpinë e njërit prej kushërinjve dhe kanë luajtur letra tërë natën.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, Haki Haziri nga ora 19:20 e deri në 20:00, me veturën e tij ka vozitur të akuzuarit Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin nga autostrada në afërsi të rrethores në rrugën e Kaçanikut deri në Fushë-Topanë, në afërsi të stacionit të fundit të linjës 9. Edhe pse Haziri sot ndryshoi deklaratën e tij, nga ajo e para, pasi e kishte dhënë në presion, Gjykata ka përsëritur në video material deklaratën e Hazirit të dhënë më 7 maj para hetuesisë.

Të pranishëm në gjykatë sot ishin edhe familjarët e të akuzuarve dhe atyre të viktimave. Një ditë më parë, aktakuzën si të pavërtetë e hodhën poshtë edhe tre të akuzuarit tjerë: Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri dhe Rami Sejdi.

Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës më 12 prill të vitit të kaluar, ngarkohen gjashtë persona: Fejzi Haziri, Haki Haziri, Agim Ismailoviq, Rami Sejdi që ndodhen në paraburgim në Prilep e Manastir, si dhe Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët janë në arrati. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.