“Mjaft”: Deputetët falsifikojnë firmat për 2.500 lekë

12:12 / 3.02.2013

Lëvizja “MJAFT” denoncon deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se ndryshojnë procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve parlamentare për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën prej 2.500 lekësh.

Në raportin “Unë Votoj” të publikuar dje nga “MJAFT” për veprimtarinë e Parlamentit gjatë periudhës 15 shtator - 24 dhjetor 2012 bëhet e ditur se gjysma e procesverbaleve të komisioneve të përhershme ndryshohen në mënyrë që të shtohen deputetët që realisht nuk kanë qenë prezent në mbledhje.

Sipas raportit, nga ballafaqimi i procesverbaleve rezulton se nga 85 procesverbale, 43 prej tyre janë të ‘manipuluara’ duke i shkaktuar Kuvendit të Shqipërisë një dëm financiar prej 567.500 lekësh.

“Vihet re një përkeqësim i situatës sa i përket prezencës fiktive të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare si dhe në ndryshimin e përmbajtjes së procesverbaleve të mbledhjeve nga administrata e Kuvendit. Për periudhën 15 shtator-24 dhjetor janë verifikuar 85 procesverbale zyrtare të marra nga faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe janë ballafaquar me të dhënat e skuadrës ‘Unë votoj’. Nga ballafaqimi i procesverbaleve rezulton se nga 85 të tilla 43 prej tyre janë të ndryshuara. Kjo shkelje, e pa përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit, por e njohur nga ligji për ruajtjen e dokumenteve zyrtare, i ka shkaktuar Kuvendit të Shqipërisë një dëm financiar prej 567.500 lekë të reja”, thuhet në raport, shkruan "BalkanWeb".

Një tjetër shkelje e konstatuar nga lëvizja “MJAFT” është edhe mos respektimi i kuorumit dhe rekordin për këtë e mban komisioni kuvendor i Veprimtarisë Prodhuese, i cili ka miratuar 10 projektligje në mungesë të kuorumit, i ndjekur nga komisionet e Ekonomisë dhe Politikës së Jashtme, respektivisht me dy mbledhje si dhe nga komisioni i Medias me një mbledhje. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.