“Parlamenti vendos për paqen dhe për luftën”

17:01 / 31.01.2013

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi u është përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës, të cilët kanë akuzuar se kreu i qeverisë se vendit po bënë kompromise në këtë dialog.

Ai para deputetëve ka thënë se Kuvendi i Kosovës është ai që vendos për paqen ose për luftën.

“Pasi që po i drejtoheni Qeverisë është Parlamenti që vendos edhe për paqen edhe për luftën. Le të merr vendim Parlamenti”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Më parë, deputetja Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se që çdo veprim i institucioneve të vendit, në bisedimet me Serbinë, duhet të jetë në përputhje me rezolutën e Kuvendit.

Osmani ka deklaruar se LDK është në gjendje të pranojë një fond për veriun e vendit, vetëm nëse nuk preket sistemi unitar i doganave.

LDK-ja, tha Osmani, kërkon që çdo marrëveshje e arritur në dialog duhet të ratifikohet në Kuvend para se të fillojë zbatimi i tyre.

Kurse, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka përsëritur se dialogu me Serbinë që nga fillimi ka filluar në mënyrë jo të duhur dhe pa asnjë kushtëzim. Sipas tij, dialogu po shkon në favor të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Për të ndryshuar kjo Serbi aktuale, duhet një pako e qartë kushtesh dhe sanksionesh. Përndryshe me këtë politikë të koncesioneve ndaj Serbisë, duke e marrë atë me të mirë, ajo po e mban veriun dhe strukturat e saj atje, po e vazhdon spastrimin etnik të Luginës së Preshevës dhe gjitha këto po i arrinë pa u sfiduar seriozisht rruga e saj drejt BE-së”, tha Konjufca.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, deklaroi se marrëveshjet e deritanishme janë në harmoni me rezolutën e Kuvendit për dialogun dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Do të vazhdojmë ta ndjekim në kujdes këtë dialog. Do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm që çdo arritje të jetë në interes të Kosovës dhe popullit”, tha Gjini.

Sido që të jetë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se në asnjë mënyrë pala kosovare nuk do të pranojë që në tavolinën e bisedimeve të shtrohen çështjet që prekin në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.