Jasharajt, frymëzim për të ecur përpara
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Republikën e Kosovës, ka vizituar Kompleksin memorial “Adem Jashari” si dhe kullën e kësaj familjeje, ku është pritur nga Rifat Jashari.Presidenti Nishani ka çmuar lart sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes, duke thënë se është koha që sakrificat e bëra për liri nga Jasharajt dhe të gjithë të tjerët, janë kthyer në një realitet, i cili, sipas tij, na motivon për të ecur përpara.
“Natyrisht është pjesa më emocionale e vizitës. Është momenti kur ne të shohim se si sakrificat e mëdha dhe sublime që u bënë nga komandant Adem Jashari, nga të gjithë luftëtarët që ranë për liri, sot janë kthyer në një realitet, i cili na motivon për të ecur të gjithë përpara nga e ardhmja dhe nga zhvillimi”, ka thënë ai, njofton KosovaPress.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani që nga dje po qëndron në vizitë në Republikën e Kosovës me ftesë të presidentes së vendit, Atifete Jahjaga.
Ai dje ka pasur një sërë takimesh me krerë të lartë të vendit tonë. Vizita e Nishanit në vendin tonë është vizita e tij e parë jashtë Shqipërisë që nga ardhja e tij në postin e Presidentit të vendit. Po ashtu, vizita e në Kosovë po bëhet edhe në shenjë të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. /Telegrafi/