“Sulltanit” nuk i duhen tre sekretarë!

10:18 / 27.03.2013

Asnjë ambasador i Kosovës që shërben në misione diplomatike në botë, nuk mund të ndihet më komod sesa ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi. Jo se ai shërben në shtetin amë, aty ku flitet shqip, por për arsye se atij, me rekomandim të ministrit Enver Hoxhaj, i janë shtuar një armatë e tërë punëtorësh, që do t’ia “lehtësojnë” punën.

Sylejman Selimi i njohur si komandant “Sulltani” gjatë kohës së luftës, pa pritur e kujtuar është bërë vetë i shtati. Atij muajin e fundit i janë bashkangjitur edhe dy sekretarë të rinj përveç një sekretare në ambasadë që ka qenë më herët. Përveç sekretares së parë, sekretarit të dytë e atij të tretë, ai në ambasadë i ka edhe dy këshilltarë dhe një këshilltar ministër, shkruan “Zëri”.

Sylejman Selimi as vetë nuk e di se çfarë i duhet tërë ky staf diplomatik. Por thotë se vetë nuk e ka zgjedhur asnjë. Që të gjithë i kanë ardhur me vendim të ministrit, Enver Hoxhaj. Ky i fundit duket se qëllimisht në këtë ambasadë i ka rehatuar jaranët, motrat e tyre dhe kunatat e jaranëve.

Madje në Tiranë “Sulltanit” i kanë shkuar “diplomatë” që ai nuk e ka idenë se ku kanë punuar, me çfarë janë marrë, e po ashtu a kanë kaluar apo jo ndonjë konkurs përzgjedhës.

“Vetëm ka ardhur tek dera e ambasadës e më ka thënë se unë jam emëruar në cilësinë e sekretarit të dytë”, përshkruan ambasadori Selimi shkuarjen në ambasadë të sekretarit të dytë Adnan Jakupi.

Për Jakupin ambasadori nuk e ka asnjë informacion nëse i njëjti ka punuar ndonjëherë, e madje sipas informatave të tij, ai as nuk ka kaluar nëpër konkurset e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Të vetmen gjë që ambasadori e di për sekretarin e dytë të ambasadës që drejton është se Adnan Jakupi është vëllai i këngëtares, Leonora Jakupi. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.