Jepet viza e parë kosovare

16:09 / 1.07.2013

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së vizës së parë të Republikës së Kosovës, që është organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll.

Ministri Hoxhaj ka vlerësuar rëndësinë që ka për Republikën e Kosovës procesi i përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për lëvizje të lirë të qytetarëve drejt BE-së, sipas kritereve të Kodit Schengen, ku një ndër kriteret e përcaktuara është edhe menaxhimi i kufijve dhe migracionit ilegal.

Ai shtoi se funksionalizimi i plotë i Qendrës së Vizave ka rëndësi të trefishtë për Republikën e Kosovës. “Vendosja e regjimit të vizave nga sot do të mbrojë Republikën e Kosovës ndaj lëvizjes së paligjshme, trafikimit të njerëzve dhe migracionit ilegal. Në të njëjtën kohë hap mundësi për shtetasit e huaj që Kosovën ta vizitojnë për qëllime turistike, arsimore, biznesore etj. Dhe e treta, është përmbushje e një kriteri të Bashkimit Evropian, i cili është parakusht për procesin e Liberalizmit të Vizave”, theksoi Hoxhaj.

Duke e cilësuar këtë si ditë historike për popullin dhe shtetin e Kosovës, ministri Hoxhaj ka shpërndarë vizën e parë të Republikës së Kosovës për shtetasin e Ganës, Edem Adzogenu.
Funksionalizimi i plotë i Qendrës së Vizave të Kosovës, sipas ministrit Hoxhaj, është edhe forcim i subjektivitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës, e cila po i bashkohet shteteve të fuqishme në rajon dhe Evropë, të cilat kanë kaluar nëpër këtë proces të rëndësishëm.

Ministria e Punëve të Jashtme sot ka filluar implementimin e regjimit efikas të vizave që është baza për trajtimin e të huajve në aspektin e vizitorëve, migracionit, studentëve, bashkimin familjar, refugjatëve dhe azilkërkuesve të listuar në vendimin e Qeverisë, për të cilët është vendosur regjimi i vizave me Kosovën.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar përkrahjen e fuqishme të Qeverisë Norvegjeze dhe Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë për jetësimin e këtij projekti.

Konsullata e Përgjithshme në Stamboll ka përfunduar të gjitha përgatitjet e parapara për fillimin e zbatimit të pilot projektit për lëshimin e vizave të Republikës së Kosovës në përputhshmëri me Vendimin e Qeverisë për vendosjen e regjimit të vizave.

Ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, kishte marrë vendim për përcaktimin e Taksës së Vizave që do të lëshohen për të huajt në misionet konsullore të Republikës së Kosovës. Vendimi i marrë në përputhje të plotë me aktet ligjore në fuqi, parasheh që Taksa do të aplikohet sipas llojit të vizës, të cilën e paguan shtetasi i huaj.

Sistemi i aplikimit për vizë nëpër misionet diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës ka filluar sot më 1 korrik 2013, fillimisht në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Stamboll, si pilot projekt, e më pas edhe në të gjitha përfaqësitë diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.