Kamera regjistron lëvizje të dyshimta të gruas dhe vajzave të Hamdi Sopës

8:59 / 7.02.2013

“Koha Ditore” ka marrë vesh se ka video që dëshmojnë për lëvizjet e dyshimta të të dyshuarave. Sipas një dëshmitari, i cili ka thënë se i ka parë vetë lëvizjet e tyre nga një pozicion i përafërt me një kamerë që ka filmuar, fill pas lajmit se Sopa ka rënë nga ballkoni ka parë vajzën e tij Artinën, duke dalë më vrap nga dera e banesës.

Pas saj, sipas tij, kanë dalë gruaja dhe vajza tjetër me vrap. Pas disa minutash ato janë ngjitur në banesë, për të dalë sërish. Sërish ato ishin kthyer e kishin dalë. Herën e fundit kur kishin shkuar në banesë ishin veshur trash duke u mbështjell edhe me shall.

“Artina fliste në telefon me dikë, e Erna shkruante sms duke u endur nëpër korridor. Ato flisnin diçka me zë të vogël dhe më vonë kanë dalë”, ka treguar dëshmitari.

Avokati Ramë Gashi mbron Artinë Sopën (1989), e cila dyshohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje. Gashi ka treguar se klientja e saj sikurse edhe bashkëshortja e të ndjerit, Teuta Sopa (1956) si dhe vajza tjetër Erna (1994) kanë dhënë version të njëjtë se ai ka bërë vetëvrasje.

Gashi ka thënë se ato kanë treguar se e kanë gjetur të shtrirë në banjë të gjakosur. Për ta tërhequr që aty kanë thënë se kishin thirrur fqinjët si dhe ndihëm e parë.

“Ato kanë deklaruar se e kanë gjetur të ndjerin në banjë shtrirë në shpinë, se ka pasur në pizhame në regjionin e përparmë në gjoks njolla gjaku dhe ka pasur dy gërvishtje në regjionin e hundës. Meqë nuk kanë mund t’i jepnin ndihmën ose me tërheq prej banjës ku ka qenë në pozicionin e shtrirë klientja ime i ka thirrur dy fqinjë, të cilët u kanë ndihmuar që ta çonin të ndjerin në dhomën e ditës”, ka vazhduar Gashi.

“Pastaj thonë se është thirrur nëpërmjet motrës së madhe e cila nuk ka qenë aty ndihma e parë dhe se krejt kjo ka ndodhur rreth orës 8 e gjysmë, nëntë”.

Duke treguar rrëfimin e tyre Gashi ka thënë se i ndjeri ka qëndruar në shtëpi gjatë gjithë ditës e vajzat kanë hyrë e kanë dalë.

Ai ka thënë se të tria të dyshuarat kanë thënë se diku një orë para vdekjes e kanë parë duke qëndruar në ballkon “për të marrë ajër të pastër”.

Gashi ka thënë se të tria kanë deklaruar se për thikën dhe bluzën e dyshuar e gjakosur të gjetura nën makinën për larjen e rrobave në banjë nuk kanë ditur se kanë qenë aty duke mos pasur ide se nga kanë ardhur.

Ndërkaq, fqinjit të familjes Sopa, Ndue Palushit ia kishte nxjerrë gjumin vajza e Hamdi Sopës, Artina me të goditura të forta të derës. Palushi ishte ngritur, siç thotë ai, i tmerruar se mos djali i vogël kishte dalë e ishte rrëzuar shkallëve. “Kur kam dal e kam pa njërën prej vajzave të Hamdisë, e dyta ka qenë, Artina, ka kërkuar falje disa herë ‘më fal kojshi se u kry kjo punë’. I thash, tash a keni nevojë për ndihmë apo çka është gjithë kjo zhurmë, se nuk më ka ndodh asnjëherë në korridorin tonë me dëgju asi zhurme, tha jo”, tregon Palushi.

Ai nuk kishte shkuar për t’u ndihmuar, por fqinji tjetër Edmod Kuka, po.

Sipas tij, fqinji kishte shkuar në banjë dhe u kishte ndihmuar atyre që ta marrin Hamdi Sopën i cili ishte gjallë dhe ta dërgonin në shtrat. Kuka i kontaktuar nga gazeta nuk ka dashur të fliste rreth rastit. Për lëvizjet e dyshimta të të dyshuarave ka edhe videoxhirime.

“Ndërkohë në atë bisedë kam dëgju disa zëra të femrave që dikush thotë: thirre policinë, dikush ka thanë thirre ndihmën e parë. Kam hy brenda dhe nuk ka dëgju ma asnjë zhurmë. Ka pas lëvizje të vogla që sipas të gjitha gjasave ka ardh ndihma e parë ka intervenu, ma tepër nuk di rreth kësaj situate”, ka treguar për “Koha Ditore”, Ndue Palushi, i cili përveç se jeton në të njëjtin bllok, ka edhe një biznes në hyrje të banesës nga ku kishte parë pas disa orësh se si kishte rënë Hamdi Sopa nga ballkoni.

Ai ka thënë se ka parë me sy duke lëvizur Hamdi Sopën në sekondat e parë të rënies nga kati i nëntë. Dorën e majtë, sipas tij, dhe kokën kishte lëvizur pak para se të jepte shpirt të martën e kaluar pasdite. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.