Kamishi dhe Lushtaku marrin pensione invalidore

18:23 / 20.01.2013

Dy politikanë të pushtetshëm nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu i njohur si “Kamishi” dhe Sami Lushtaku, të ardhurat vjetore të të cilëve kalojnë 20 mijë, përkatësisht 45 mijë euro në vit, janë përfitues edhe të pensionit invalidor që ndahet nga buxheti i vendit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se deputeti aktual “Kamishi” e gëzon këtë beneficion prej 1 prillit 2003, ndërsa kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku nga 1 janari 2008, ndonëse të dy punojnë në detyra të larta dhe të paguara mirë.

Në bazë të regjistrimit të popullatës të fundvitit 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 44.9 për qind e popullatës së vendit është e papunë.

Sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim “Mozaiku i Kosovës 2012”, 47 për qind e kosovarëve mes 18 dhe 64 vjet janë të papunë. Sipas të njëjtit raport, vetëm 49 për qind e respondentëve kosovarë ishin përgjigjur se ekonomitë e tyre familjare u lejojnë të blejnë tesha dhe këpucë kurdo që kanë nevojë.

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, më herët këtë muaj kishte njoftuar se deri tash 12 mijë e 885 veta kanë aplikuar për statusin e veteranit, 1 mijë e 489 aplikacione për invalidë dhe 851 aplikacione për dëshmorë.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën “Kamishi”, përkundër se merr të ardhura nga tri burime përfiton edhe pension invalidor. Haxhiu merr 17 mijë e 766 euro në vit nga Kuvendi i Kosovës dhe 2 mijë e 580 euro pagë vjetore nga angazhimi si asistent në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës.

Bazuar në deklarimin e pasurisë së tij, të dorëzuar në Agjencinë Kundër-Korrupsion, deputeti Haxhiu merr edhe nga 81 euro si mëditje për mbledhjet e Komisioneve Ekzekutive të Federatës së Futbollit të Kosovës. Në FFK, ai mban pozitën e nënkryetarit. Pagesa e katërt që merr deputeti Haxhiu është 2 mijë e 890 euro në vit nga Qeveria e Kosovës si pension invalidor.

Haxhiu thotë se është plagosur kur ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë prillit të vitit ‘99, në fshatin Tërnavc.

“Jo me dëshirën time, më 11 prill 1999 jam plagosur gjatë luftimeve në vijën e frontit”, thotë Haxhiu për Gazetën Jeta në Kosovë. “Në momentin e plagosjes me mua kanë qenë ushtarët Hajriz Haxhiu, Veli Ferizi, Selami Bytyqi etj. Plagosjen time ne vijë të frontit e vërtetojnë edhe 122 ushtarë të tjerë të UÇK-ës të njësitit tim”.

Komisioni Mjekësor, sipas tij, kishte vlerësuar se ai ka shkallë të invaliditetit prej 31 deri në 40 për qind.

“Unë nuk e kam shkelur ligjin me asnjë veprim, unë jam brenda ligjit. Ligji i përcakton benificionet”, tha Haxhiu.

Që nga viti 2003, sipas vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Haxhiut i njihet e drejta për pension të invalidëve të UÇK-së në shumë mujore prej 255 eurosh.

Fadil Shurdha, drejtor i Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, thotë se Haxhiu përveç së është pjesë e listës së pensioneve invalidore, është edhe anëtar i kësaj shoqate.

“Bekim Haxhiu merr pensionin invalidor, si i plagosur. Edhe vëllai i tij që është i plagosur e merr pensionin”, thotë Shurdha.

Sipas Fadil Shurdhës me ligj nuk është e ndaluar që të marrin pensionin ata që janë të punësuar, pavarësisht çfarë pune bëjnë.

“Bile nëse do të kisha mundësi do t`i punësoja të gjithë edhe ata që sot nuk janë të punësuar”, thotë ai.

Por, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punët e Kuvendit, thotë se jo vetëm deputetët, por edhe përfaqësuesit e institucioneve tjera, do të duhej të hiqnin dorë nga pensionet invalidore. Sepse, sipas Selmanajt, të jesh përfaqësues i qytetarëve është privilegj dhe post që ka mjaft benificione.

“Dorëheqja do të dëshmonte se për ta interesi qytetar është në radhë të parë dhe se assesi nuk duan të shndërrohen në zhvatës të parasë publike”.

I pyetur se si anëtar i Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, a e din se a ka ndonjë pensionist invalidor tjetër që aktualisht është deputet në Parlamentin e Kosovës, Haxhiu është përgjigjur:

“Kjo është pyetje me përmbajtje politike e dirigjuar dhe e orientuar nga kundërshtarët e mi politikë...”.

Edhe Shoqata e Invalidëve edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se Haxhiu është i vetmi deputet aktual që gëzon këtë beneficion. Sipas këtyre dy institucioneve, i vetmi deputetet tjetër që e merrte këtë beneficion nga legjislatura e kaluar është Shkumbim Demalija, ish-deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Unë jam plagosur më 24 maj 1999 në krahun e djathtë. Në vendin e quajtur Bogiqe, brezi kufitar Mali i Zi-Kosovë-Shqipëri”, thotë Demalija. “Sipas raportit mjekësor, është konstatuar se shkalla e invaliditetit tim është 35 për qind. Unë kam bërë shumë vonë kërkesën për pensionin invalidor, në vitin 2008, prej kur edhe jam duke e marrë pensionin”, tha ai.

Në vitin 2010, Demalijaj deklaronte rreth 250 mijë euro pasuri të paluajtshme në formë shtëpish dhe trualli si dhe një veturë BMW në vlerë 6500 euro.

“Kamishi” ndërkohë më 2012 deklaronte 270 mijë euro pasuri të paluajtshme në formë shtëpie dhe trualli, dy vetura bashkë 39 mijë euro, mbi 2500 euro para të gatshme në banka dhe mbi 18 mijë euro detyrime financiare.

Edhe Sami Lushtaku, një nga zyrtarët më me ndikim të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, ka shënuar në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2012, dorëzuar në Agjencionin Kundër-Korrupsion, se ai merr beneficionin prej 2,400 eurosh në vit.

Lushtaku nuk ka pranuar të flasë në lidhje me këtë beneficion kur është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, më 15 janar.

Përveç këtij beneficioni, Lushtaku në deklaratën e tij të 2012-tës ka njoftuar merr 12,600 euro të hyra vjetore nga paga e tij si kryetar i komunës së Skenderajt dhe 36,000 euro nga lokali i tregtisë “Shqiponja”.

Lushtaku në deklaratën e tij ka shënuar se ka pasuri në formë të shtëpive, banesave truallit e lokaleve në vlerë prej 1 milionë e 580,000 eurosh. Po ashtu ai ka deklaruar një veturë BMW X5 në vlerë 40 mijë eurosh, aksione në vlerë 600,000 eurosh në lokalin “Shqiponja” në pronësi të fëmijëve dhe 4250 euro të gatshme në bankë.

Në mars të vitit 2012, ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, ishte urdhëruar të lëshonte Zvicrën.

Një gjykatë e këtij shteti kishte lëshuar urdhër dëbimi për deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës pasi kishte gjetur se Syla kishte bërë shkelje të rënda të ligjeve të Zvicrës.

Gjatë vitit gjatë vitit 2011 dhe 2012, sipas Swiss.info, Syla kishte marrë shumë të konsiderueshme të të hollave - rreth 450,000 franga zvicerane - i vlerësuar se nuk ka mundësi të punojë. Pagesat ndaj tij janë ndaluar kur autoritetet zvicerane kuptuan se Syla punon si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Përveç kësaj, Syla kishte punuar edhe si ish-Ministër mbrojtje në Qeverinë e Përkohshme të ngritur nga UÇK-ja më 1999 dhe kishte marrë pjesë atë vit në Konferencën e Rambujesë si anëtar delegacioni nga Kosova.

Syla, në një intervistë për RTK-në, atë vit kishte insistuar se të gjitha ndihmat që i kishte marrë shteti zviceran, i kishte marrë “në mënyrë të rregullt”.

Në gusht 2012, Azem Syla ka dhënë dorëheqjen prej detyrës së kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.