Kapen duke vjedhur antenat e PTK-së
Hetuesit e stacionit policor në Obiliq, pas shqetësimeve në lidhje me disa raste të vjedhjeve, kanë arritur të kapë tre të dyshuar, në flagrancë.“Një nga këto operacione të organizuara mirë, në drejtim të kapjes së personave - për të cilët dyshohej me bazë të jenë të përfshirë në disa raste të vjedhjeve - ka rezultuar me kapjen në flagrancë e tre personave, që janë zënë duke i thyer antenat e VALA-s dhe nga to dyshohet të kenë vjedhur kabllo, pajisje dhe naftë”, ka njoftuar Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.
Personat e ndaluar janë: R. M., 37 vjeçar; M. M. 32-vjeçar dhe B.M. 21-vjeçar, të tre shtetas të Kosovës.
Ka dyshime të bazuara se këta persona janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve të rënda, transmeton GJNK.
Këta të dyshuar, pas arrestimit, janë dërguar në Qendrën Rajonale të Paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë para se rastet t’i kalojnë gjykatës. /Telegrafi/