Kapet i dyshuari për zjarrvënie në Karadak
Policia e Kumanovës ka arrestuar personin që dyshohet për vënien e zjarrit në Karadakun e Kumanovës.Ditëve të fundit ka pasuar një zjarr masiv në fshatin Presnicë të komunës së Likovës, me ç`rast janë djegur mbi 30 hektarë pyje. Menjëherë pas hetimeve të ndërmarra, Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se ka zbuluar gjurmët e autorit dhe ka ndaluar 46 vjeçarin R.A nga fshati Haraçinë, i cili dyshohet si shkaktar për vënien e zjarrit. I dyshuari së bashku me vëllain e tij nga fillimi i muajit gusht po qëndronin në shtëpizën e tyre në këtë fshat, ku edhe prenin drunj, transmeton INA.
Sipas policisë, autori i vënies së zjarrit kishte ndezur me benzinë një kalë të ngordhur, për shkak se nuk duronte erën e keqe.
“Nga pakujdesia e tij, zjarri më pas është përhapur në pjesë tjera të malit, duke shkaktuar djegie masive për tre ditë me radhë”, thuhet ne njoftimin e MPB-së, duke shtuar se ekipet e specializuara po punojnë për hetimin e plotë të rastit. /Telegrafi/