KIPRED s’u beson nismave serbe ndaj Kosovës
Në Kosovë nuk mund të pritet me shumë optimizëm nisma e Serbisë që ta pranojë Kosovën edhe pa fusnotë. Analistët thonë se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e deritashme edhe pse ka pasur presione të herëpashershme nga Brukseli. Raportimet e mediave në Beograd se qeveria serbe po shqyrton modelin, i cili do t’i mundësonte Serbisë pjesëmarrjen në forumet rajonale, në të cilat Kosova përfaqësohet pa fusnotë, nga analistët në Kosovë vlerësohet si presion që bashkësia ndërkombëtare po i bën Serbisë.
Ardian Arifaj, hulumtues i lartë në KIPRED, presionin e quan efikas në rastin e Serbisë.
“Ky presion nuk ka qenë gjithmonë i mjaftueshëm dhe nuk ka qenë gjithmonë prezent. E ka lejuar deri tash Serbinë për të qenë jo konstruktive ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit. Prandaj, ky presion i rritur do ta detyronte Serbinë për të qenë më konstruktive karshi Kosovës dhe ndaj rajonit”, tha Arifaj për RTK.
“Këto paralajmërime të Serbisë, për një nismë të tillë, mund të jenë në favor të Kosovës”, tha Arifaj, sipas të cilit Kosova nuk mund të bëjë më kompromise.
Megjithatë, Arifaj beson se këto mund të jenë vetëm spekulime, meqë Serbia deri më tash asnjëherë nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura me Kosovën. /Telegrafi/