Kore, impianti atomik pranë riaktivizimit

12:03 / 4.06.2013

Koreja e Veriut po bën progres “të rëndësishëm” në riaktivizimin e impianteve bërthamore, vlerësojnë Shtetet e Bashkuara.

Riaktivizimi i reaktorit Yongbyon mund të jetë vetëm dy muaj larg, ka thënë administrata amerikane, por ka paqartësi për llojin e karburantit që do t’i japë fuqi reaktorit.

Koreja e Veriut njoftoi në prill se planifikonte riaktivizimin e tij, pavarësisht tensioneve të larta që ekzistonin në gadishull, raporton Tch.

Reaktori ishte mbyllur në korrik të vitit 2007 si pjesë e një marrëveshjeje çarmatimi në këmbim të ndihmave. Kulla ftohëse në këtë impiant u shkatërrua më vonë, por marrëveshja e çarmatimit hyri në ngërç.

Vendimi i Penianit për ta riaktivizuar vjen pas testit të tretë bërthamor të mbajtur më 12 shkurt, që çoi në zgjerimin e sanksioneve të OKB-së.
Informacioni i fundit vjen nga faqja e internetit “38 North”, që është pjesë e institutit amerikano-korean në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimit, pamjet e fundit satelitore tregonin se Koreja e Veriut ka përfunduar pjesën më të madhe të riparimit të sistemit të ftohjes, e nevojshme për rindezjen dhe funksionimin e reaktorit.

Kulla e ftohjes, që u shkatërrua, nuk është riparuar por në vend të saj një sistem i dytë ftohjeje është vënë në punë. Puna ka vazhduar edhe me impiantin e fikur.

Grumbuj materialesh ndërtimi dukeshin qartë përmes satelitit në impiant, ku një sistem që mund të jetë për qarkullimin e ujit të reaktorit po gërmohej.

Me t’u bërë operativ, reaktori mund të prodhojë rreth 6 kilogramë plutonium në vit, që mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.