Kosova “armatoset” për Vitin e Ri

23:12 / 24.12.2012

Edhe në këtë fundvit, sikurse edhe vite më parë, që nga fillimi i muajit dhjetor, fishekzjarrët gjenden kudo nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe në qytete të tjera të Kosovës. Shitja, blerja dhe përdorimi i tyre tashmë ka filluar. Autoritetet doganore thonë se deri më tash, gjatë vitit 2012, në Kosovë kanë hyrë rreth 500 mijë kilogramë mjete shpërthyese.

Ka fishekzjarre që janë shumë të rrezikshëm, dhe që shiten pa ndonjë kriter nëpër rrugë, megjithëse zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme deklarojnë se kompanitë, katër të cilat janë të licencuara deri më tash, duhet të japin shpjegime për mënyrën se si duhet të përdoren ato.

Edhe pse prej vitesh ekziston një ligj, sipas të cilit duhet të kontrollohen të gjitha subjektet që importojnë fishekzjarrë, nga ajo që shihet në terren, duket se një ligj i tillë nuk zbatohet ashtu siç duhet.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Brendshme, Driton Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë së lidhur me çështjen e fishekzjarrëve, ministria çdo vit aplikon rregullat për kontrollin e importimit të mjeteve piroteknike, vetëdijesimin e qytetarëve, si dhe kontrollin dhe shitjen e këtyre mjeteve. Kurse, sa i takon zbatimit të ligjit, Gashi pranon se ai nuk po zbatohet siç duhet.

“Normalisht, ne nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të ligjit ose të udhëzimit administrativ. Ne kemi thënë edhe në vitet paraprake se ne kemi zgjedhur një rrugë pak më të vështirë dhe më të gjatë, që është vetëdijesimi i njerëzve. Pra, njerëzit duhet të njoftohen dhe pastaj duhet të jenë të përgjegjshëm për zbatimin e ligjit”, tha Gashi.

Vitin e kaluar, por edhe vitet me parë, nga pakujdesia dhe mungesa e informacioneve për përdorimin e fishekzjarrëve, dhjetëra qytetarë janë lënduar, dhe nga plagët e marra kanë kërkuar ndihmën e mjekut.

Lëndimet e qytetareve thuhet se, veç tjerash, kanë ndodhur edhe për faktin se në artikujt e blerë nga qytetarët, nuk ka pasur shpjegime se si duhet të përdoret një fishekzjarr.

Driton Gashi tha se të gjitha ato kompani, të cilat shesin mjete piroteknike, duhet ta shesin mallin e tyre me shpjegime shqip se si duhet të përdoren fishekzjarrët.

“Ajo është e obligueshme, ne e kemi futur si kriter në udhëzimin administrativ që edhe sqarimi domosdo duhet të jetë në gjuhën shqipe. Në pika të caktuara ndoshta edhe nuk zbatohet plotësisht, qoftë udhëzimi apo ligji”, sqaroi Gashi, duke shtuar se në gjithë vendin inspektorët do të jenë në terren për të ndalur të gjitha parregullsitë që kanë të bëjnë me këto çështje.

Nga ana tjetër, kryeinspektori i tregut të Kosovës, Ruzhdi Shehu, i tha Radios Evropa e Lirë se të gjithë ata tregtarë të cilët janë duke shitur mjete piroteknike për festat e fundvitit, nëse nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm, malli i tyre do të konfiskohet.

“Ne kemi pasur raste ku kemi hasur në tregtarë, të cilët nuk kanë qenë të pajisur me dokumente të veçanta nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha ato mallra janë konfiskuar dhe nuk është lejuar shitja e tyre".

"Kontrollet që do të pasojnë nga e hëna, apo në disa komuna është filluar edhe më herët, gjithë tregtia e tyre me pakicë, nëse nuk i plotësojnë kushtet dhe kërkesat ligjore të përcaktuara me Ligjin mbi fishekzjarrët, Inspektorati i tregut me asistencë të policisë, do t’i konfiskojë mallrat e tilla”, deklaroi Shehu.

Ndërkaq, autoritetet doganore thonë se vetëm deri më tash, pra gjatë vitit 2012, në Kosovë, kanë hyrë rreth 500 mijë kilogramë mjete shpërthyese.

“Në vitin 2012 kemi pasur import prej 497 mijë kilogramësh të mjeteve si fishekzjarrë, raketa ndriçuese. Kjo kap vlerën prej rreth 800 mijë eurosh”, bëri të ditur Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Ndërkaq, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë paralajmëruar se gjatë festave të fundvitit, përveç kujdesit që do ta shtojnë për sigurinë nga produktet piroteknike, ata kanë hartuar një urdhër operativ me rastin e këtyre festave.

“Policia e Kosovës e ka hartuar urdhrin operativ policor, i cili ka të bëjë me ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në prag të festave të fund vitit”, u shpreh Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Për dallim nga shitësit ambulantë në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, të cilët nuk duan të flasin për produktet e tyre se kush i blen dhe sa e respektojnë ligjin, qytetarët shprehen kritikë ndaj tyre dhe organeve të rendit se nuk ka një kontroll më të shtuar ndaj shitjes së tyre.

Ndryshe, edhe në seancën e fundit për vitin 2012 në Kuvendin e Kosovës, disa nga deputetët, kanë kërkuar nga organet kompetente që të ndërmerren masa që edhe Kosova si edhe vendet e tjera evropiane të festojë ardhjen e viti të ri pa pasur incidente nga përdorimi i mjeteve piroteknike. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.