Kosova kërkon të zbatohet marrëveshja e IBM-së
Në kuadër të fillimit të zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dje dhe sot në Bruksel u mbajt takimi i parë punues në mes të ekspertëve të Republikës së Kosovës, Serbisë dhe të BE-së. Në këtë takim, pos tjerash, u diskutua për metodologjinë e zbatimit të marrëveshjes së IBM-së dhe të Protokollit Teknik. U definuan detyrat dhe përgjegjësitë që kanë të dyja shtetet ndaj kësaj marrëveshjeje ndërshtetërore, të cilën Serbia e nënshkroi pas shumë vonesash.
Në takim u diskutuan edhe çështjet tjera që lidhen me zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe që janë në përputhje me standardet evropiane. Pala kosovare u angazhua për intensifikimin e zbatimit të kësaj marrëveshje dhe kërkoi nga BE-ja që të rrisë angazhimet në këtë drejtim.
Delegacioni i ekspertëve të Kosovës kryesohej nga Fisnik Rexhepi, këshilltar politik dhe koordinator kombëtar për zbatimin e IBM-së, nga MPB-ja, Qemajl Marmullakaj, nga Zyra e kryeministrit, Dren Zeka, këshilltar i lartë politik i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Naim Huruglica, drejtor i Doganës së Kosovës, kolonel Shaban Guda – ndihmësdrejtor për Polici Kufitare, Valdet Gjinovci – kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, si dhe Murat Meha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës. /Telegrafi/