Kosova nuk përfitoi nga dialogu me Serbinë

15:51 / 13.08.2012
Kosova nuk ka përfituar asgjë nga procesi i bisedimeve me Serbinë, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë.

Deklaratat e tyre i pasojnë vlerësimet e zëvendëskryeministres dhe kryenegociatores së Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e cila tha se pavarësisht faktit që shumica e marrëveshjeve nuk po zbatohen, përfitimet politike të Kosovës, sipas saj, janë mjaft të mëdha.

“Pavarësisht, faktit se marrëveshjet e Brukselit mbeten larg zbatimit të plotë, megjithatë dialogu teknik tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane”, vlerësoi Tahiri, shkruan “Evropa e Lirë”.

Nisur nga këto vlerësime të kryenegociatores Edita Tahiri, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni mendon se vlerësime të tilla të Qeverisë dhe zyrtarëve të saj, janë për keqardhje.

“Është për keqardhje kur dëgjon deklarata të tilla, sepse e vetmja palë në këto bisedime, që janë bisedime Prishtinë Beograd e jo Kosovë - Serbi, e cila nuk ka përfituar asgjë, përkundrazi ka pësuar në disa rrafshe është Kosova”, thotë Hyseni.

Përfitimi i vetëm nga dialogu me Serbinë për Kosovën mund të jetë fakti që pala kosovare është treguar konstruktive para bashkësisë ndërkombëtare, thotë në anën tjetër, analisti politik Ardian Arifaj.

Ndërkaq, në rrafshet tjera, ai nuk sheh ndonjë përfitim, siç pretendon qeveria aktuale.

“I tërë procesi ka qenë negativ, sepse Kosova ka humbur më shumë sesa që ka fituar. Ka humbur, sepse ka hapur derën e bisedimeve pa qenë e gatshme për bisedime dhe çka është më e rëndësishme, ia ka hapur derën rrezikut që tash bisedimet, temat të zgjerohen më shumë dhe të përfshihen aty tema që nuk e kanë vendin e vet në këtë dialog”, thekson Arifaj.

Gjatë një prezantimi të arritjeve dhe ngecjeve në dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri fajësoi jo vetëm Serbinë, por edhe BE-në për moszbatimin e konkluzioneve. Ajo tha se nuk e sheh veten përgjegjëse për fajin e palës tjetër.

“Jemi përgjegjës ndaj qytetarëve dhe japim llogaridhënie. Mirëpo, dështimet e Serbisë adresohen te Serbia dhe unë ftova BE-në, që si palë e tretë ka obligim që t’i rrisë angazhimet për t’i bërë presion Serbisë që t’i plotësojë obligimet implementuese”, deklaroi Tahiri.

Mirëpo, deputeti opozitar nga radhët e LDK-së, Skënder Hyseni, mendon se Qeveria dhe kryenegociatorja Edita Tahiri mbajnë përgjegjësi për moszbatimin e konkluzioneve të dialogut me Serbinë, pasi që opozita në vazhdimësi i ka tërhequr vërejtjen se rezultatet e bisedimeve me Serbinë nuk do të zbatohen.

“Është ditur që nga fillimi se këto janë marrëveshje të pazbatueshme dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk e ka ditur këtë, është akoma më përgjegjëse dhe është akoma më për keqardhje nëse nuk e ka ditur që këto marrëveshje janë të pazbatueshme, sepse ato janë dizajnuar që të mos zbatohen dhe janë dizajnuar që ta ndihmojnë Serbinë ta fitojë statusin e kandidatit për në BE”, thotë Hyseni.

Bisedimet Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kanë filluar në mars të vitit të kaluar dhe kanë prodhuar shtatë konkluzione në formë marrëveshjesh, por të panënshkruara nga palët.

Nga këto konkluzione, sipas Qeverisë së Kosovës pala serbe po e zbaton vetëm atë të tregtisë dhe lëvizjes së lirë, kurse ka ngecje totale në zbatimin e gjashtë marrëveshjeve tjera. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
15:24 / 19.06.2013

Fillojnë pushimet për Çilin

Çiljeta Xhilaga sivjet i ka filluar shumë më herët pushimet e saj, kjo pasi ka një shoqërues të veçantë, djalin katër...
Teknologji
14:57 / 19.06.2013
Facebook ka 1 milion reklamues

Facebook ka 1 milion reklamues

Facebook ka arritur në 1 milion reklamues, dhe kjo shifër sinjalizon se rrjeti social është bërë një kanal tashmë “tr...
Ekonomi
15:50 / 19.06.2013

Kosova e Bullgaria të gatshme të këmbejnë ekspertizën në ekonomi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli ka pritur Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Bobi Bobev, me të cilën...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.