Krasniqi kërkon veprime të koordinuara në veri
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili prej disa ditësh është duke qëndruar në vizitë zyrtare në SHBA, takimet me zyrtarë të këtij vendi i ka vlerësuar si shumë të suksesshme. Ndërsa ka thënë se zgjidhja e situatës së veriut kërkon veprime të koordinuara dhe aspak hapa të ngutshme.“Ne mendojmë se Kosova nuk duhet të ndërmarrin veprime të pakoordinuara, megjithatë tani është hapur një zyrë ekzekutive në pjesën veriore të Kosovës, është caktuar koordinatorja dhe kjo zyrë do të bëjë përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme në komunën e Mitrovicës Veriore pasi që këto dy komuna të Mitrovicës do të kenë një barrë të përbashkët për qytetarët e Mitrovicës. Unë mendoj se ashtu siç janë integruar pjesa dërmuese e qytetarëve serb të Republikës së Kosovës në jetën publike dhe institucionale ashtu do të integrohen edhe serbët e pjesës Veriore”, citon Kosovapress fjalët e kryeparlamentarit.
Krasniqi ka thënë se në pjesën veriore ekzistojnë strukturat paralele të pushtetit serb, të cilat i kërcënojnë dhe pengojnë qytetarët serbë të Kosovës t’i kthehen jetës normale në Kosovë, lirisë së plotë që e kanë të garantuar me kushtetutën e Kosovës dhe me dokumentin gjithë-përfshirës të presidentit Ahtisaari.
Duke folur për temën e bisedimeve me Serbinë, ai ka thënë se ka kërkuar nga zyrtarë të SHBA-ve që ta ushtrojnë ndikimin e tyre, në mënyrë që fillimisht të zbatohen marrëveshjet e arritura. Sipas tij, pa një presion të fuqishëm të Brukselit dhe të SHBA-ve, Serbia nuk do tregojë asnjë lloj vullneti dhe as gatishmërie për t’i respektuar marrëveshjet e arritura. /Telegrafi/