Krasniqi: Kjo legjislaturë ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë seancës plenare të së mërkurës ka kundërshtuar mënyrën e privatizimit në Kosovë, duke thënë se autoritetet nuk kanë bërë përpjekje për të përmirësuar mangësitë e shënuara. Krasniqi madje ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend.
“Mungesa e ligjeve të mira, ekzistimi i liderëve mbi ligjin së bashku me krimin e organizuar, janë argumente të fuqishme se privatizimi nuk po bëhet për të mirën e publikut”, ka thënë Krasniqi.
Kjo legjislaturë, sipas tij, siç njofton Rel, ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura, institucionet pastaj kanë dalë prej atyre zgjedhjeve dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike.
Duke përmendur edhe rastin e përfolur për afera korruptive në privatizimin e hotelit “Grand”, Krasniqi tha se ky rast ka dëshmuar se “ka pasur sekserë, të cilët kanë kërkuar miliona para, por tash duhet kërkuar kush është boss-i privatizimit”.
Rasti “Grand”, së cilës i referohet kryetari i Kuvendit, ka të bëjë me procesin e shoqëruar me akuza për afera korruptive të privatizimit të këtij hoteli në Prishtinë, proces ky në të cilin janë përfshirë edhe emra të lartë udhëheqësish të institucioneve.
“Dikush mund ta akuzojë të ndjerin Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, ai nuk ka pas truproja, që të jetë boss-i. Kush është boss-i i vërtetë? Këtë duhet ta tregojë gjyqësia dhe hetuesia”, ka thënë Krasniqi.
Dino Asanaj, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe njëherësh shtetas amerikan, sipas raportit të mjekëve ligjorë në Kosovë, kishte bërë vetëvrasje më 14 qershor 2012, duke i shkaktuar vetes 11 prerje dhe therje me thikë. /Telegrafi/