Krasniqi priti ish-komisionarin e Bundestagut
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot Reinhold Robbe, ish-komisionar i Bundestagut për Forca të Armatosura dhe këshilltar për mbrojtje në Qeverinë e Gjermanisë. Pasi u falënderua për pritjen, Reinhold Robbe shprehu kënaqësinë për zhvillimin e hovshëm të Kosovës, ndërsa në vijim theksoi se ai gjendet në vizitë në Kosovë në kuadër të Projektit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Gjermanisë dhe Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.
”Bëjmë përpjekje të bartim përvojat tona edhe në shtetin e Kosovës”, tha Robbe.
Kryekuvendari Krasniqi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut Gjerman dhe falënderoi Ambasadën Gjermane për punën që po bën në Kosovë.
”Vlerësoj se Gjermania ka bërë e po bën shumë për Kosovën, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në fushat tjera”, theksoi kryekuvendari Krasniqi, duke shprehur mirënjohje edhe për kontributin e GIZ-it dhënë Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi shprehu gatishmërinë për shfrytëzimin e përvojave gjermane në fushën e sigurisë.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, ka njoftuar se Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/