Krasniqi: Shteti i Kosovës po ndërton identitetin e vet
Me rastin e vendimit të Grupi Ndërkombëtar Drejtues për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përshëndetur këtë vendim të rëndësishëm, duke e vlerësuar si një ngjarje historike për qytetarët, institucionet dhe shtetin e Kosovës.Kryekuvendari Krasniqi thekson se kjo e arritur historike është kontribut i angazhimit të përhershëm të institucioneve të Kosovës në bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare, për ndërtimin e shtetit të ligjit të së drejtës, të shtetit të qytetarëve të barabartë pa dallim race, e gjinie, sipas standardeve evropiane.
“Para institucioneve të Kosovës, ky vendim i GND-ës, është shenjë se shteti i Kosovës po ndërton identitetin e vet kushtetues dhe ligjvënës, po ndërton marrëdhënie shumë të mira me shtetet e rajonit dhe më gjerë me ato në Evropë dhe botë, duke sendërtuar njëkohësisht edhe obligimet e marra nga Pakoja e presidentit Ahtisari”.
“Shteti i Kosovës është këmbëngulës që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare”. /Telegrafi/