Kryeministri spanjoll mohon akuzat për korrupsion

18:52 / 2.02.2013

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy ka mohuar lajmet e publikuara në media se ai dhe anëtarë të qeverisë së tij kanë marrë financime sekrete.

“Nuk kam marrë kurrë dhe as kam dhënë para të padeklaruara”, ka deklaruar Rajoy, duke theksuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Gazeta “El Pais” publikoi të enjten një seri fotografish të disa regjistrave që tregonin se eksponentë të Partisë Popullore kishin marrë para. Gazeta shkruante se vetë Rajoy kishte marrë 25 mijë euro në vit mes viteve 1997 dhe 2008, transmeton TCH.

Duke iu drejtuar komitetit ekzekutiv të Partisë Popullore në një sesion të jashtëzakonshëm për të diskutuar posaçërisht mbi lajmet e “El Pais”, Rajoy ka thënë se“Nuk është e vërtetë se kemi marrë para, të cilat më pas i paskemi fshehur nga zyra e taksave”.

Ai ka shtuar se do të publikojë në faqen e internetit të partisë detajet e plota të ardhurave dhe pasurive të tij. Teksa kryeministri fliste, disa qindra protestues u mblodhën jashtë selisë së partisë duke bërtitur “hajdutë” dhe “dorëheqje”.

Zoti Rajoy dhe partia e tij u zgjodhën në zgjedhjet e nëntorit 2011, me premtimin për të reduktuar defiçitin e borxhit publik. “El Pais” shkruante se fotot e publikuara ishin të disa regjistrave që mbaheshin nga dy financierë mes viteve 1990 dhe 2009.

Paratë thuhej se paguheshin nga kompani të ndryshme përmes financierëve, njëri prej të cilëve është aktualisht nën hetim për pastrim parash. Deri në vitin 2007, partitë politike spanjolle lejoheshin të merrnin donacione anonime. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.