Ku jetojnë femrat më së miri e ku më së keqi në botë?
Barazia gjinore është ende një çështje “djegëse”, ndërsa hulumtimi i fundit i Forumit Ekonomik Botëror tregon se cilat janë vendet më të mira e cilat më të këqijat për gratë. Në këtë raport përfshihen 135 vende (Kosova nuk është përfshirë), që përbëjnë 90 për qind të popullsisë botërore. Rezultatet janë të bazuara në 14 treguesit që matin përmasat e hendekut mes gjinive në katër fusha kryesore:
1. Participimi dhe mundësitë ekonomike (fuqia punëtore femërore, barazia në paga, përqindja e grave në pozita të larta)
2. Qasja në arsim (shkrim-leximi i grave dhe nëse ato kanë shkollim të lartë)
3. Shëndeti dhe mbijetesa (jetëgjatësia për meshkujt dhe femrat, norma e vdekjeve)
4. Pushteti politik (numri i femrave në pozitat e larta politike në 50 vitet e fundit).
Çdo vendi i është dhënë një pikë në mes të 0-s (pabarazia totale) dhe 1-shit (barazia totale) bazuar në 14 treguesit, ndërsa rezultatet përfundimtare janë renditur në listë.
Shqipëria, sipas studimit, është radhitur në vendin 91. Nga shtetet e Ballkanit Sllovenia është në rangimin më të mirë: në pozitën 38. Maqedonia gjendet në vendin 61; Serbia 50 etj. Në pesë vendet e para janë: Islanda, Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe Irlanda. Ndërsa, në fund të listës, si vendet më të këqija për jetesën e femrave, janë shtetet islamike: Arabia Saudite, Çadi, Pakistani dhe Jemeni. /Telegrafi/
