Kuçi: Ndryshimi i koalicionit, spekulim i mediave!
Zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi, ka përsëritur deklaratat se zgjidhja për veriun është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe të Pakos së Ahtisaarit. Pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur nga gazetarët se a po kthehen gjashtë pikat e Sekretarit të OKB-së, Ban Ki-moon , Kuçi ka thënë se Kosova nuk do të bisedojë për çështje të tilla.
”Çështja e vizitës së Ban Ki-moonit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, është një lajm i mirë për Kosovën, është një lajm i mirë për rajonin, është një koncentrim i tij dhe i OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë dhe besoj që nuk duhet të ndërlidhet me ndonjë paragjykim tjetër”, ka theksuar Kuçi.
Në lidhje me presionin e faktori ndërkombëtar që Kosova të hyjnë në dialog me Serbinë, për veriun e vendit, Kuçi thekson: “Jemi të interesuar edhe për një fqinjësi të mirë me gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, por fqinjësi që respekton sovranitetin e njëri-tjetrit, pavarësinë e njëri-tjetrit dhe që respekton identitetet nacionale dhe shtetërore që kemi krijuar”.
Ndërsa, paralajmërimet për ndryshime të koalicionit qeverisës, Kuçi i ka quajtur spekulime të mediave.
“Ajo është çështje spekulative e mediave”, ka deklaruar Kuçi , i cili për mundësinë e hyrjes në koalicion të AAK-së dhe të daljes së AKR-së shton se për çdo gjë “Partia Demokratike do të informojë qytetarët”.
“Nuk është menduar një koalicion i tillë. Koalicioni po funksionon mirë, po i implementojmë politikat që kemi paraparë. Çdo gjë që ndodh nuk ndodh në befasi. Partia Demokratike e Kosovës nuk e befason opinionin publik, nuk i befason partnerët, por bënë partneritet të sinqertë. Ka dëshirë që partnerët të jenë stabil dhe ka dëshirë që të implementojë të gjitha ato që i kemi premtuar qytetarëve”, ka potencuar Kuçi. /Telegrafi/