Kufiri detar, respektohet vendimi i Kushtetueses
Shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, të mërkurën për herë të parë dha sqarime në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, për çështjen e përcaktimit të kufirit ujor me Greqine.I thirrur nga deputetë të opozitës për të vërtetën e bisedimeve mes dy shteteve për këtë çeshtje, Panariti tha shkurt: “Nuk ka negociata, nuk ka grupe negociatorësh ka vetëm trajtesë teknike të këtij problemi brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
Panariti shtoi se në marrëveshjen e re me fqinjin jugor, baza do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi marrëveshjen e parë me Greqinë, raporton Top Channel.
“Përcaktimet e bëra nga kjo Gjykatë janë detyruese dhe duhen zbatuar në rastin eventual të bërjes së një marrëveshjeje të re me të njëjtin objekt. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyes për çdo hap të mëtejshëm për delimitimin detar me Greqinë”, tha Panariti.
Por opozita e konsideroi të pambyllur këtë seancë, duke kërkuar përmes një letre kërkesën për vijimin e saj. Në këtë letër të opozitës thuhet se deputetëve nuk iu dha mundësia për diskutimin e përgjigjeve të ministrit, duke kërkuar vijimësinë e diskutimit me ministrin Panariti. /Telegrafi/