Kurti: Edhe Tirana në bisedime
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ,edhe pse kundërshton dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë, kërkon përfshirjen e Shqipërisë në këto bisedime. Ai thotë se Tirana zyrtare ka obligim të përkujdeset për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. “Kosova ka arritur deri këtu si rezultat i sakrificave dhe rezistencës në emër të kombit. Për rrjedhojë, pavarësia e Kosovës duhet të jetë në funksion të kombit. Unë e kuptoj qeverinë e Shqipërisë që nuk mban dot qëndrim më radikal se qeveria e Kosovës, por mendoj që Shqipëria ka obligim kushtetues për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve”, tha Kurti në një intervistë për Top Channel.
Unë e kuptoj qeverinë e Shqipërisë që nuk mban dot qëndrim më radikal se qeveria e Kosovës, por mendoj që Shqipëria ka obligim kushtetues, deklaron Kurti.
Kurti kritikon kryeministrin Thaçi se do të hyjë në dialog me ish-bashkëpunëtorët e Milosevicit.
Në reagimin opozitar, ai nuk i përjashton edhe protestat.
“Fundi i mbikëqyrjes nuk po e bën Kosovën sovrane. Protektorati ndërkombëtar tani do të hyjë brenda institucioneve të Kosovës. UNMIK-u, KFOR-i dhe EULEX-i do të jenë të gjitha këtu”, thotë Kurti, i cili shkon edhe më tej.
“Besoj se kjo është pjesë e një skenari ku Kosova do futet në bisedime politike me Serbinë, pa kushte. Qeveria e ka bërë Kosovën si pazar, pasi e konsideron atë si mall të vjetër”, thekson më tej lideri i VV-së. /Telegrafi/