Kushtetuesja: Diana Kastratit iu shkel e drejta për jetë

12:26 / 27.02.2013

Gjykata Kushtetuese më 26 shkurt 2013 ka shpallur vendimin kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Komunale në Prishtinë në favor të prindërve të Diana Kastratit, viktimë e dhunës në familje.

Rasti i Diana Kastratit kërkoi nga Gjykatës Kushtetuese që të vendosë nëse të drejtat individuale të Diana Kastratit janë shkelur pasi që Gjykata Komunale në Prishtinë ka dështuar ti përgjigjet kërkesës së saj për të lëshuar urdhrin mbrojtës për viktimat e dhunës në familje, ashtu siç parashihet me ligj.

“Diana ka kërkuar mbrojtje nga organet e drejtësisë ndaj burrit të saj, dhe dëshmitarët tregojnë se ajo u vra në rrugë, pasi kaluan javë të tëra pa ndonjë veprim të ndërmarrë nga ana e gjykatës. Për një vit pas vrasjes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ndërmori asnjë veprim, për më tepër Këshilli argumentoi se kishte përmbushur obligimin, pasi që kishte ndërmarrë masë disiplinore ndaj kryetarit të trupit gjykues, tri ditë pasi rasti ishte paraqitur në Gjykatën Kushtetuese”.

Gjykata mori vendim se ka pasur shkelje të së drejtës për jetë dhe shkelje të së drejtë për mjete juridike.

Rasti u soll nga Kampanja” Drejtësia dhe Qytetarët” përmes Iniciativës Strategjike Gjyqësore.

“Drejtësia dhe Qytetarët” është një kampanjë kombëtare që implementohet nga një aleancë e organizatave joqeveritare të Kosovës, që synon të rris qasjen në drejtësi për qytetarët e Kosovës dhe lufton për llogaridhënie nga institucionet e sistemit të drejtësisë.

Kërkesa u parashtrua në Gjykatë me datën 17 prill, 2012 nga Korab Sejdiu, përfaqësues i shoqërisë së avokatëve Sejdiu dhe Qerkini të angazhuar nga Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” për të trajtuar rastet përmes Iniciativës Strategjike Gjyqësore.

Në konferencën për shtyp të organizuar nga Kampanja” Drejtësia dhe Qytetarët”, Sejdiu iu drejtua mediave mbi vendimin e shpallur duke shtuar se: "Përgëzojmë Gjykatën Kushtetuese për vullnetin e mirë të treguar në marrjen e këtij aktgjykimi të rëndësishëm për jurisprudencën kushtetuese Kosovare, që njëherësh është rasti i parë i këtij lloji në Kosovë”.

“Shpresojmë që ky aktgjykim do të inkurajojë vendimmarrësit e tjerë që të investojnë më shumë se fjalë në përmirësimin e drejtësisë në Kosovë. Aktgjykimi i sotëm nuk e kthen Dianën në jetë, mirëpo shpresojmë që të mund të shërbejë si përkujtim për atë duke ndihmuar në parandalimin e shkeljeve te tilla në të ardhmen “, tha ai.

Edhe babai i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati foli mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ky aktgjykim nuk na e kthen vajzën në jetë, mirëpo sado pak zbut dhembjen qe kemi përjetuar me vite të tëra. Presim qe drejtësia të mos ndalet me kaq, mirëpo të sigurohet që vrasësi i vajzës sonë të sillet para drejtësisë, siç edhe është bërë me sistemin e drejtësisë në këtë rast. Ne poashtu jemi në pritje që në gjirin tonë të kthehet Anaida, vajza e Dianës, dhe që së paku ajo të mbrohet nga dëmtimi i mëtejmë nga kjo drejtësi jo-funksionale”, tha Kastrati. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.