Kushtetuesja kthen ne rigjykim rastin e Bajrush Xhemajlit

23:23 / 19.02.2013

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të kthejë në rigjykim rastin e Bajrush Xhemajlit pasi ka konstatuar që gjykatat e rregullta është dashur të lejonin superekspertizën e kërkuar nga ai. Vendimi gjyqësor nuk është marrë në mënyrë unanime, pasi që tre gjykatës të Kushtetueses kanë thënë se nuk ka pasur nevojë për ekspertizë shtesë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se gjatë gjykimit të ish kryetarit të komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, janë shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe e drejta për proces të rregullt - të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktgjykimi është shpallë më 19 shkurt 2013 dhe urdhëron Gjykatën Supreme që rasti të kthehet në rivendosje.

Pala mbrojtëse e Xhemajlit pretendonte se Gjykata Supreme ka bërë shkelje kur nuk ka ndërmarrë ekspertizë shtesë për të vlerësuar aksidentin, kërkesë kjo që është mbështetur nga Kushtetuesja.

“Eksperti i komunikacionit nuk ka kontrolluar automjetet e përfshira në aksident dhe nuk ka shikuar kushtet e rrugës ku ka ndodhur aksidenti por vetëm është bazuar në raportet e policisë”, thuhet në aktgjykim, transmeton Gazeta Jeta në Kosovë.

Më tutje Kushtetuesja vëren se Gjykata e Qarkut dhe Supreme nuk ka lejuar Xhemajlin të angazhojë një ekspert tjetër të komunikacionit duke konstatuar se kishin prova të mjaftueshme dhe se nuk ishte nevoja.

Caktimi i super ekspertizës u refuzuar sepse “raporti i ekspertit të komunikacionit dhe shpjegimi i dhënë nga eksperti ishin të mjaftueshme për të konstatuar gjendjen faktike sepse nuk kemi të bëjmë me opinione kontradiktore” sqaron aktgjykimi.

Por një që e tillë është kundërshtuar nga Kushtetuesja sepse sipas saj ishte vetëm një mendim i ekspertit dhe nuk mund të bëhej fjale për mendime kontradiktore.

Gjykata Kushtetuese është e mendimit se nëse gjykatat e rregullta do të kishin urdhëruar superekspertizën, ajo do të mund të konfirmonte ose raportin fillestar të ekspertit të komunikacionit ose versionin e parashtruesit të kërkesës se ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar në aksident.

Një argument shtesë që përmendet në aktgjykimin e Kushtetueses veprimet e Policisë dhe koordinimi i tyre me Prokurorin e rastit nuk është bërë në përputhje më Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Ndërkohë, pas shpalljes së aktgjykimit dhe deri në rigjykim të rastit për Xhemajlin do të vlejë masa e përkohshme e cila e lë atë të lirë.

Por ky aktgjykim nuk është marrë në mënyrë unanime por me shumicë votash.

Ai është kundërshtuar nga gjykatësit Altay Suroy, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova.

Në një “mendim të përbashkët mospajtues” të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese ata kanë thënë që rasti nuk duhet të kthehet në rigjykim.

Sipas tyre, kërkesa e Parashtruesit (Bajrush Xhemajli) për superekspertizë nuk është bazuar në argumentin që ai nuk ka qenë përgjegjës për aksidentin por që faktorë të tjerë kanë mundur të kontribuojnë në aksident.

“Në të vërtetë, eksperti i komunikacionit kishte marrë parasysh brengat e Parashtruesit si dhe kishte pranuar që këto gjëra do të mundshin në “parim” të kontribuonin në aksident”, thuhet në opinionin mospajtues të gjykatësve.

Për këtë arsye këta tre gjykatës kanë konstatuar se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Bajrush Xhemajli ishte dënuar me dy vjet e gjysme burg për një aksident në komunikacion me pasojë patën vdekjen e 21 vjeçarit Labinot Rrustemi nga fshati Banullë e Lipjanit më 21 majit 2009.

Më 5 dhjetor 2012, Gjykata Kushtetuese e Kosovë kishte nxjerrë vendim me të cilin lejonte masën vazhdimin e masës së përkohshme - që e mban Xhemajlin në liri deri më 31 mars. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.