Kuvendi s’e di nëse Qeveria ka plan për bisedime
Kosova duhet ta ketë të përfunduar planin e vet, ta dijë se si do të shkojë dhe për çka duhet të bisedojë, ka deklaruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë, në të cilën janë caktuar datat e seancave të Kuvendit dhe agjenda e tyre.Në pyetjen e gazetarëve se ku është Kosova me planin e vet për bisedime, përderisa Serbia ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalë me një plan konkret, Krasniqi ka thënë se Kosova duhet ta ketë të përfunduar planin e vet për bisedime. Sipas tij, për të ditur se a ka Qeveria plan për bisedime, duhet të drejtohen në kabinetin qeveritar.
“Kuvendi nuk është i informuar se ka ndonjë plan qeveritar për bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Krasniqi, transmeton KP.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës janë caktuar dy seanca për javën e ardhshme. Seanca e parë është më 3 tetor, në të cilën do të debatohet për privatizimin në Kosovë, dhe seanca tjetër e rregullt do të jetë më 4 dhe 5 tetor, në të cilën do të ketë një debat dhe një interpelancë. /Telegrafi/