LDK: Huliganët serbë përkrahen nga institucionet e Serbisë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Republikës së Kosovës, të bërë nga radikalë dhe huliganë serbë, në pikën kufitare në Merdarë.“LDK-ja e konsideron të papranueshëm dhe jashtë çdo norme tentimin për të kaluar me dhunë pikën kufitare të Republikës së Kosovës. Sulmi që la të lënduar një numër të madh të policëve kosovarë, është sulm ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky sulm është bërë nga grupe radikale serbe, që nxiten e përkrahen nga institucionet e Serbisë”, thuhet në komunikatë.
LDK-ja kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të veprojë në mënyrë energjike përballë çdo cenimi të rendit dhe të ligjit në vend, ashtu si e përcakton Kushtetuta, dhe mbështet Policinë e Kosovës në përmbushjen e detyrës që ka për të ruajtur rendin dhe sigurinë. /Telegrafi/