LDK: PDK-ja po investon në komunat ku udhëheq vet
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ditë më para është lavdëruar për investimet që ka bërë në stadiumet e komunave të vendit, por partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar, duke vlerësuar se Qeveria po investon vetëm në komunat që i udhëheq vet dhe nuk ka investuar asnjë cent në stadiumin e kryeqytetit. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit po vazhdon me politikat e saj diskriminuese, kjo shihet edhe me ndarjen e 1.1 milionë eurove në stadiumet e komunave.
Ai ka thënë se LDK-ja kudo që investohet përkrah, por LDK-ja kundërshton fuqishëm mënyrën e tillë diskriminuese të financimit të komunave të ndryshme mbi baza partiake.
“Kjo që ka ndodh para dy tri ditësh nga MKRS-së, vet ministri, gjegjësisht Qeveria, vërtet është e papranueshme për LDK-në dhe qytetarët e Kosovës, sepse të shpërndash 1 milion e 100 mijë euro në disa stadiume dhe prej mbi 85 % e këtyre mjeteve të koncentrohen në komuna, që dëshiron tash PDK-ja t’i identifikon kësisoj, në mënyrat e ndarjes e ka treguar këtë, në komunat që i udhëheq PDK-ja”, ka theksuar Beqiri sot, në një konferencë për media .
Në stadiumin olimpik të Mitrovicës dhe për klubin e këtij qyteti janë ndarë 540 mijë euro, kjo për sekretarin Beqiri është e mirëpritur, por jo edhe për komunat e Kaçanikut, Shtimes, që nuk dihet a kanë fusha të sportit.
Madje për Beqirin është i papranueshëm fakti që asnjë cent nuk është ndarë për stadiumin e kryeqytetit dhe shumën simbolike për Klubin Futbollistik Flamurtari.
“Mbi 914 mijë euro kanë shkuar në katër ose pesë komuna që i udhëheq PDK-ja. Me këtë nuk po investojnë në sport, por po tentojnë me investuar në politikë, në krijim të opinionit se ja këta janë të interesuar dhe të mos investosh asnjë cent në Stadiumin e Prishtinës, ose është shumë qesharake t’i jepet Klubit Futbobllistik Flamurtari, shuma që i është dhënë. Kjo është për t’i qitur pluhur syve qytetarëve, ‘se ja ne i shpërndajmë në komunat e tjera’”, ka thënë sekretari i LDK-së.
Për më tepër ai ka shtuar se Kosova është e vogël të kantonizohet dhe të regjionalizohet dhe të bëhet thjeshtë partiake, “ku udhëheq zotëri Thaçi atje të ketë para, ku nuk udhëheq, atje nuk do të ketë para”.
Beqiri ka shprehur besimin se kësaj politike të mbrapshtë po i vjen fundi dhe qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës do ta dënojnë këtë qeveri, për këtë që po i bënë vendit tonë, transmeron Kosovapress./Telegrafi/