LDK: Prokuroria të hetojë “krimin urbanistik" në Mitrovicë
Raporti i auditorit të brendshëm për ndërtimet shumëkatëshe ka nxitur debat të nxehtë të martën mes këshilltarëve të kuvendit në Mitrovicë, me ç’rast edhe u thirr prokuroria e shtetit të nis hetimet, siç u tha, për “krimet” që janë kryer në planin urbanistik në Mitrovicë.Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Murteza Berisha, e ka vlerësuar raportin si shumë real, duke përmendur me këtë rast shkeljet e evidentuara në ndërtimet shumëkatëshe.
Ai përmendi mosrespektimin e afatit ligjor për dhënien e lejeve, shtimin e kateve të ndërtesave përtej atyre të përcaktuara me leje, mos kontrollimin teknik të shumicës së këtyre objekteve, dëmtimin e rrugëve me rastin e ndërtimeve dhe moskthimin e tyre në gjendjen e mëparshme etj.
Duke vlerësuar raportin në fjalë skandaloz, Faton Peci (LDK), i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të nis punën e tij, duke u bazuar në argumentet që i ofron raporti për krimet që janë bërë sa i përket ndërtimeve shumëkatëshe në Mitrovicë, transmeton Koha.net.
Në anën tjetër, këshilltarë të partisë në pushtet, PDK-së, ndonëse kanë përshëndetur të parin e komunës që ka marrë guximin për të autorizuar auditorin e brendshëm për auditim të ndërtimeve shumëkatëshe, megjithatë ua kanë rikujtuar opozitës se ndërtimet e egra dhe mosrespektimi i dispozitave ligjore në këtë drejtim kanë filluar vite më parë kur ata kanë qenë në pushtet.
Abit Avdiu ,nga PDK-ja, ka kërkuar që kjo çështje të mos politizohet, sepse siç u shpreh ai, për këtë nuk është vetëm faji i këtij pushteti, derisa Berisha iu kundërpërgjigj se çështja nuk po politizohet, por kërkojnë përgjegjësi pse nuk janë marrë masa deri tani.
Sipas tij, nuk janë ndërmarrë masa në ndalimin e punimeve në rastet kur në vend të katër kateve të lejuara, janë ndërtuar gjashtë apo tetë kate.
Ndryshe, ishte kjo hera e parë që bëhet një auditim në detaje rreth këtyre ndërtimeve në komunën e Mitrovicës, i cili u vlerësua real jo vetëm nga opozita por edhe nga disa këshilltarë të pozitës. /Telegrafi/