Lëndimi i presidentit Topi, shtyhet betimi i ministrave të rinj
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka shtyrë kohën për betimin e ministrave të rinj të qeverisë Berisha, për shkak të një problemi shëndetësor. Burime nga stafi i presidentit, i thanë gazetës “Shqiptarja” se kreu i shtetit gjatë ditës së djeshme nuk ka dalë në zyrën e tij si pasojë e një hematome në shputën e këmbës së djathtë, që e ka vrarë në shtëpinë e tij.
Vetë presidenti i Republikës, Bamir Topi duket se e ka neglizhuar këtë vrarje që i ka shkaktuar tashmë një hematomë më të madhe.
Dëmtimi i këmbës së djathtë të presidentit, Bamir Topi ka më shumë se një javë që ka ndodhur, përpara se ai të shkonte në qytetin e Vlorës për t'i dhënë këtij qyteti dekoratën në 100 vjetorin e pavarësisë, por edhe për të nderuar disa prej figurave kryesore të atij qyteti, që kanë marrë pjesë në pavarësinë e Shqipërisë. /Telegrafi/