Letërkëmbimi ndërmjet Jahjagës e Ashtonit
Është siguruar letërkëmbimi ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, lidhur me mandatin shtesë të EULEX në Kosovë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.Në letrën e presidentes Jahjaga theksohet nevoja që ka Kosova për praninë e mëtutjeshme të EULEX-it gjatë periudhës së ardhshme dy vjeçare. Gjithashtu presidentja e ftoi misionin e EULEX-it duke u bazuar në ligjet e aplikueshme të shtetit sipas kushtetutës dhe jo sipas rezolutës 1244, raporton Rtk, që ka siguruar letërkëmbimin.
EULEX-it në Kosovë, njëherësh edhe përfaqësuesit special të BE-së, u jepet statusi, privilegji dhe imuniteti i barasvlershëm me përcaktimin nga Konventa e Vjenës, thuhet mes tjerash në letrën e presidentes Jahjaga.
Ndërsa në letrën e baronshës Ashton që do t’i dërgohet të mërkurën presidentes Jahjaga, të cilën e ka siguruar RTK-ja, ndër të tjera thuhet se e pranon ftesën për vazhdimin e përmbushjes së mandatit të EULEX-it në Kosovës në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në vazhdim janë përmbajtjet e pjesshme të letrave të Jahjagës dhe Ashtonit.
Letra e Jahjagës drejtuar Ashton
“E nderuara Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika te Sigurisë, Baronesha Ashton,
Dëshiroj t’ju shpreh juve falënderimet tona më të sinqerta për kontributin e vazhduar të Bashkimit Evropian për stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës.
Në përputhje me nenet 17(I), 18(I) dhe 20(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe duke e pasur parasysh përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës të paraparë në Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ne e mirëpresim praninë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ”EULEX KOSOVO”.
Ne vazhdojmë ta mbështesim plotësisht mandatin e tij sipas përcaktimit nga Veprimi i Përbashkët 2008/124/PPJS, të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, me 4 shkurt 2008, të ndryshuar ne Aneksin IX, neni 2.3 i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe letrat e këmbyera te datës 17 shkurt 2008 dhe 8 gusht 2008.
Duke marrë parasysh qëllimin tonë për të fuqizuar edhe më tej sundimin e ligjit në Kosovë, ne e mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të EULEX-it në Kosovë për të zhvilluar autoritetet tona, dhe në veçanti sistemin tonë gjyqësor. Mbi këtë bazë, unë i bëjë thirrje Shkëlqesisë Suaj, përmes kësaj letre dhe sipas autoritetit nga neni 19 dhe 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që të përgjigjeni duke e shprehur gatishmërinë e BE-së që të vazhdojë të ofrojë prokurorë, gjyqtarë dhe policë me përvojë dhe dije që të shërbejnë në Misionin EULEX në Kosovë.
Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX.-it të cilët shërbejnë në kuadër të tij nga data e kësaj letre janë emëruar në bazë të Aneksit IX, neni 2.3 i Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Unë i konfirmoj këto emërime.
Gjithashtu, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, EULEX-i mund të emërojë gjyqtarë dhe prokurorë të tij, të cilët do t’i zëvendësojnë ata të cilëve u skadon mandati. Këto emërime kryhen sipas mënyrës së përshkruar në vijim:
Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, unë kam fuqinë të emëroj dhe shkarkoj prokurorët dhe gjyqtarët sipas propozimit të trupave nominues. Neni 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i lejon Republikës që t”ia bëjë delegimin e kompetencave të caktuara organizatave ndërkombëtare për disa çështje specifike. Si Presidente, e kam për detyrë të siguroj që këto delegime të kenë një renditje të qartë.
Sipas nevojës, stafi i EULEX-it autorizohet që të mbajë armë. Ndërmjet Misionit dhe Ministrisë për Punë të Brendshme do të arrihet një marrëveshje lidhur me sistemin e regjistrimit të armëve të cilat i mbajnë një numër i kufizuar i stafit të misionit, duke e pasur parasysh nevojën e balancimit të kërkesave për transparencë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për mbrojtjen e një numri të caktuar të pjesëtareve të stafit për shkak të funksioneve të tyre.
Letra e Baroneshës Ashton
“E nderura zonja Presidente,
Me anë të kësaj po ju njoftoj për pranimin e letrës suaj në të cilën ju e keni ritheksuar përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për bashkëpunim të plotë me misionin EULEX në Kosovë. Unë e pranoj ftesën tuaj të përmbajtur aty për vazhdimin e përmbushjes së mandatit të misionit EULEX në Kosovë në frymën bashkëpunimit të ndërsjellë.
EULEX-i do t’i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë përcaktuar në veprimin e përbashkët 2008/124/CFSP për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX KOSOVË i miratuar dhe ndryshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian me 4 shkurt 2008.
EULEX-i do t’i ndihmojë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejmë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe shumetnik, si dhe të një shërbimi shumetnik policor dhe doganor në rrugën e tyre drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse. Kosova ka perspektivë evropiane sikurse i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Gjatë përmbushjes se mandatit të tij, EULEX-i do të kontribuoj në lehtësimin e përparimit të Kosovës drejt integrimeve të mëtejme në BE. /Telegrafi/