Lëvizja e Legalitetit, pro bashkimit të shqiptarëve në një shtet

18:12 / 19.05.2012

Pas kritikave për qëndrimet e tij ndaj paradës së homoseksualëve, kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia ka ripërsëritur mbështetjen që partia e tij i jep platformës së bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, duke i dhënë nota patriotike aksionit politik, që do të ndjekë kjo parti në të ardhmen. Ky qëndrim jo i ri për Lëvizjen e Legalitetit përputhet plotësisht me vizionin e Aleancës Kuq e Zi për bashkimin kombëtar.

Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)deklaron se bashkimi kombëtar është një proces i pakthyeshëm, duke nënvizuar se koha po punon për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Andaj PLL mbështet çdo qëndrim të çdo force politike, shoqate apo grupimi në mbarë hapësirën kombëtare, që vjen në opsionin e zgjidhjes përfundimtare të çështjes kombëtare.

Në këtë kuadër, “për PLL-në, përurimi në Prizren i Abetares Kombëtare është abc-ja e procesit që sipas PLL-së do të konvergojë në një të ardhme të afërt drejt njehsimit dhe unifikimit të gjithë vlerave kombëtare drejt bashkimit të kombit në një shtet të vetëm të integruar në Bashkimin Evropian”.

Partia Lëvizja e Legalitetit thekson se ringjallja e megali idesë nëpërmjet partive neo-naziste dhe shoviniste është një kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Sipas PLL-së këto zhvillime nuk janë vetëm reflektimi i krizës, por janë rezultat i suportit të vazhdueshëm të qarqeve shoviniste nga qeveritë e mëparshme greke, dhe për më tepër janë të bekuara nga Kisha Greke.

Në këtë suazë, PLL në deklaratën më të fundit për shtyp thekson se “Termi "Vorio Epir" nuk ekziston si i tillë, por është pjellë e qeverive shoviniste të para një shekulli në momentet më të vështira të kombit shqiptar të Luftës së Parë Botërore. Në leksikun shqiptar ka ekzistuar dhe do të ekzistojë termi Jugu i Shqipërisë dhe i ashtuquajturi Vorio Epir nuk është gjë tjetër veçse veriu i Shqipërisë së Jugut. Ne memorien e të gjithë shqiptarëve janë masakrat çnjerëzore ndaj popullsisë autoktone të Çamërisë, spastrimit dhe asimilimit etnik të saj. Investimi prej më shumë se një shekull e gjysmë mbi platformat famëkeqe të megalidesë dhe nacertanias u shkatërruan në mars 1999 ditën kur bombat e NATO-s ranë në Beograd, por që shpërthyen më shumë në Athinë. Ky ishte fillim i korrigjimit të padrejtësive historike të kryera ndaj kombit shqiptar nga fuqitë e kohës”, thuhet në deklaratën e PLL-së, e cila nënvizon se pas një shekulli koha po punon për shqiptarët. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.