Limaj: Deputetët me vota të vjedhura, jashtë Kuvendit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se mjafton të ulesh përball deputetëve në Kuvendin e Kosovës, dhe aty shihet qartë se nuk është diçka në rregull, duke kërkuar kështu nga organet e drejtësisë që të hetohen të gjithë ata që mund të jenë me vota të vjedhura në Kuvend. “Edhe në demokracitë më të zhvilluara, nuk ka ndodhur që mbi 80 për qind e deputetëve të ndërrohen në një palë zgjedhje, ndërsa në Kosovë ka ndodhur pikërisht kjo. Nuk dua ta etiketojë asnjë deputet, mirëpo aty ka njerëz që në kuvendet komunale vështirë se do të merrnin ndonjë votë, ndërkaq në Kuvend të Kosovës kanë ardhur si deputetë”, ka thënë Limaj në tryezën e diskutimit “Krimin e Organizuar në Zgjedhje: Roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve” të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Fredrich Ebert Stiftung (FES).
“Dua të di sesi do të veprohet nga organet e drejtësisë që t’iu merret mandati deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës vota të vjedhura, nëse ka të atillë”, ka thënë Limaj.
Ndërkaq, siç njofton "Zëri", Ahmet Isufi, nga AAK, ka pohuar se lufta më e ashpër në këto zgjedhje, më të diskutueshmet ndonjëherë, është zhvilluar brenda kandidatëve të partive politike.
“Janë 87 deputetë në Kuvendin e Kosovës që janë të rinj dhe që nuk kanë qenë deputetë më parë. Mund të ketë deputetë që aty janë me vota të vjedhura, por poashtu mund të ketë kandidatë që i kanë fituar votat dhe që nuk janë sot deputetë. Këtë duhet ta dëshmojnë organet e drejtësisë, prandaj duhet të hetohen organizatorët e këtyre krimeve”, theksoi Isufi.
Mirëpo Betim Musliu, nga IKD, i cili bëri prezantimin e raportit për politiken e ndjekjes së krimit të organizuar në zgjedhje, tha se është vërejtur një hezitim i prokurorëve për zbardhjen e këtyre krimeve.
“Pas manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2010 është fajësuar sistemi zgjedhor. Mirëpo ne mendojmë se nuk është fajtor sistemi zgjedhor por faktori njeri. Pra kanë qenë përgjegjës ekzekutuesit e manipulimi të zgjedhjeve që kanë qenë përfaqësues të partive politike. Meqenëse në kaluarën nuk i kemi ndjekur dhe gjykuar vjedhjen e votave që ka ndodh si në vitin 2004, 2007 dhe 2009, atëherë është mbërri kulmi i manipulimeve në zgjedhjet e vitit 2010, ku u zgjuan edhe të vdekurit dhe votuan”, u shpreh Musliu.
Ndërsa hap pozitiv dhe të rëndësishëm Musliu e quan faktin se manipulimet që kanë ndodhur në këto zgjedhje po trajtohen si lëndë prioritare. Megjithatë, sipas tij, politika e ndjekjes dhe e dënimeve, deri tani bazuar në këtë analizë është joadekuate.
Edhe Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit e cila foli se si është zhvilluar ndjekja për këto raste të manipulimi të zgjedhjeve tha se prokurorisë së shtetit i kanë arritur 91 raste përmes së cilave subjektet politike, kandidatët dhe shoqëria civile dhe vëzhgues të zgjedhjeve, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar zgjedhjet. Ajo tha se Prokuroria e Shtetit i ka dhënë prioritet këtyre lëndëve dhe se prej marsit e vitit 2011 e deri më tani janë akuzuar 1500 persona.
Ndërsa Valdete Daka, gjyqtare e Gjykatës Supreme, tha se këto vepra penale, janë duke u shqyrtuar si prioritet, për shkak se për herë të parë në Kosovë ka qenë një numër kaq i madh i lëndëve gjyqësore nga zgjedhjet.
Ajo tha se për fat të keq politika ndëshkimore s’ka qenë shumë e qartë dhe se të gjithë ata që janë ndjekur penalisht, janë gjykuar me dënime me kusht he me gjoba, mirëpo falë qëndrimit të Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor, është kërkuar të bëhen ankesat nga prokurorët e qarkut dhe Prokuroria e Shtetit dhe pas ankesave të gjitha dënimet me kusht dhe me gjoba janë konvertuar ne dënime me burg efektiv. /Telegrafi/