Lirohet ligjvënësi i opozitës turke
Militantët kurdë kanë liruar të martën vonë ligjvënësin e opozitës turke, rrëmbimi i të cilit ka rritur frikën për përshkallëzim të dhunës.Militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit kanë kidnapuar Huseyin Aygun, të dielën në provincën Tunceli.
Guvernatori i provincës ka bërë të ditur se Ayguni, edhe vetë kurd, është liruar pranë qytetit Ovaçik dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore.
Rrëmbimi i tij ka ndodhur në mesin e sulmeve të intensifikuara ndërmjet rebelëve kurdë dhe trupave turke në rajon, njofton Evropa e Lirë.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian është shpallur organizatë terroriste, ka nisur betejën e armatosur për autonominë kurde në juglindje të Turqisë qysh në vitin 1984.
Mbi 40,000 veta kanë humbur jetën në dhunën që ka pasuar. /Telegrafi/