Makolli: Diaspora me 3-5 deputetë në Kuvend
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli shprehet i vendosur që mërgimtarëve kosovarë t’u garantohen tri ose pesë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë se mërgata kosovare ka potencial politik, akademik, intelektual e ekonomik për të dhënë kontribut në Legjislativ, por edhe në institucionet tjera në Prishtinë. Që kjo ide të konkretizohet, Makolli thotë se në shtator të vitit të kaluar ka kërkuar nga Komisioni për ndryshimet Kushtuese që të garantohen ulëset për mërgatën në Kuvend. Ai po ashtu thotë se ka klimë për investime, ndërsa nuk e përjashton mundësinë që debati i fundit në Kuvend për privatizimin të dekurajojë investitorët.Ideja për përfaqësimin e diasporës në Kuvendin e Kosovës, sipas ministrit Makolli, nuk është e re.
“Ne kemi shembuj të shteteve të tjera të cilat kanë vende të rezervuara në kuvendet nacionale për mërgatën, të cilat ndoshta roli dhe kontributi i tyre ka qen shumë herë më i vogël në raport me vendin e vet, se sa roli dhe kontributi i mërgatës sonë në raport me Kosovën. Dhe në këtë kuadër, konsideroj që mërgata ka nevojë që ta ketë zërin e saj të drejtpërdrejt në institucionin ma të lart të vendit, në Kuvend”, tha Makolli në intervistë për Albinfo.ch.
Ai thotë se i mbetet Komisionit për ndryshimet kushtuese, por edhe trupave të tjera të vendos për vendet e rezervuara në Kuvend për diasporën.
“Ne kemi propozuar që mërgimtarëve t’u rezervohen 3 deri 5 deputetë. Kjo vlerësohet edhe në bazë të analizave”.
Duke folur për mundësinë e investimeve të mërgatës në Kosovë, Makolli ka thënë se gjatë muajve të fundit, ka pasur avancim edhe në infrastrukturën ligjore edhe në atë fizike sa i përket investimeve të diasporës.
“Disa ligje janë përfunduar ndërsa disa të tjera janë në procedurë të miratimit, prandaj në Kosovë konsiderojmë se klimë të sigurt për investime. Po ashtu shumë komuna, me të cilat kemi bashkëpunim të mirë, kanë ndarë zona të veçantë për të bërë biznes, ndërsa disa prej tyre kanë hequr të gjitha taksat me qëllim që investitorët të ndihen më të komod. Edhe në gjyqësor gjithashtu është rritë efikasiteti, ndërsa një lajm inkurajues është se nga janari 2013 fillojmë reformat në gjyqësi që krijon edhe më shumë lehtësira në këtë domen”.
Ai gjithashtu ka thënë se debati në fundit për privatizimin në Kuvendin e Kosovës mund të refleksione dekurajuese për investirorët nga jashtë, “sepse njerëzit hamenden. Nuk dinë çka të besojmë”.
“Por, duhet të dimë se ka gjëra të cilat shfrytëzohen vetëm për elektorat për vota, dhe në këtë drejtim duhet të shihet kjo. Kam një sugjerim dhe një këshill për të gjithë investitorët tanë, që të mos ndikohen nga politikat ditore që neve na shërbejnë për ta sulmuar njëri-tjetrin me qëllim që të përfitojmë elektorat. Edhe fjalori ynë duhet të jetë më i kujdesshëm sepse shumë herë i frikësojmë investitorët për çështje votash”, tha Makolli. /Telegrafi/