Malala Yousafzai zhvendoset në një spital ushtarak
Zyrtarët në Pakistan kanë bërë të ditur se adoleshentja e cila mori disa plagë gjatë një sulmi të talibanëve këtë javë është zhvendosur në një spital ushtarak në qytetin verior, Rawalpindi.Vajza 14 vjeçare, Malala Yousafzai, ishte shtruar në një spital ushtarak në Peshawar, pasi ishte goditur të martën në kokë dhe në qafë, në afërsi të luginës Swat.
Masood Kausar, guvernatori i provincës Khyber Pakhtunkhwa citohet të ketë thënë se Yousafzai është dërguar në spitalin më të mirë ushtarak në Rawalpindi. Sipas tij, gjendja e vajzës është përmirësuar, por ende nuk është jashtë rrezikut për jetë.
Mediat e huaja njoftojnë se autoritetet pakistaneze kanë ofruar një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për ata që i kapin sulmuesit e saj. /Telegrafi/