Mallakastër, vriten dhe digjen në banesë bashkëshortët
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Mallkastrës, pak pas mesnate. Një çift bashkëshortësh janë vrarë me armë zjarri, ndërsa më pas janë djegur brenda banesës së tyre. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti bëjnë me dije se viktimat janë identifikuar si Enver Myftari, 55-vjeç, e Azbie Myftari, 52-vjeçe. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në fshatin Belishovë, Komuna Qendër, ndërsa po sipas policisë mësohet se autorët e këtij krimi të rëndë - të cilët nuk janë identifikuar ende - pasi kanë qëlluar për vdekje me armë zjarri bashkëshortët Myftari, i kanë vënë zjarrin banesës së tyre, si edhe dyqanit që ata kishin në pronësi, ngjitur me banesën.
Bashkëshortët jetonin vetëm në banesë. Ata kane tre vajza të martuara dhe një djalë, i cili ka pak muaj që ishte kthyer nga Greqia dhe banon në Tiranë. Ndërkaq, mësohet se në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forca të policisë, zjarrfikësit që bënë të mundur shuarjen e flakëve, si edhe forca e ndërhyrjes së shpejtë, raporton BW.
Ngjarja e rëndë mbetet ende mister për forcat e rendit, të cilët kanë nisur sakaq hetimet për të hedhur dritë mbi të, si edhe për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. /Telegrafi/