Maqedonasit nuk e kanë kuptuar mirë marrëveshjen!

20:35 / 13.08.2012
Liderët maqedonas dhe shqiptarë në Maqedoni para 11 vitesh me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, me garanci ndërkombëtare, shmangën një luftë tragjike që mund ta kishin shkatërruar vendin, ka deklaruar ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko. Ai ka thënë se firmosja e Marrëveshjes së Ohrit shpëtoi jetë të shumta, pengoi shpërnguljen masive të banorëve dhe shmangën shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë.

“Maqedonia, do të ishte një hapësirë krejtësisht ndryshme po qe se udhëheqësit kombëtarë të maqedonasve dhe shqiptarëve nuk do të kishin zgjedhur të bënin kompromiset e nevojshme për të pranuar Marrëveshjen e Ohrit”.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është e përsosur. Negociatat nën kërcënimin e luftës rrallëherë janë të përsosura dhe zbatimi nuk është pa probleme”, ka thënë deputeti i Partisë Socialiste, Majko.

“Lidershipi i Presidentit të ndjerë dhe mikut tim të paharruar Boris Trajkovskit ishte një nga faktorët kryesor që ndryshoi trajektoren e vendit nga konflikti civil në drejtim të paqes. Arbër Xhaferi me urtësinë e tij po ashtu reflektoi besimin për të ardhmen. Nuk mund të imagjinohej një Maqedoni e qetë, po të mos ishte transformimi nga Ali Ahmeti i formacioneve të UÇK-së në parti politike konstruktive dhe paqësore (sot BDI)”.

Majko ka thënë se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit dhe të rajonit. Sipas tij, është proces i dorës së parë për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është një ‘përkufizim shterrues’ legal për të ndërtuar identitetin shumetnik dhe multi-kulturor të Maqedonisë. Marrëveshja që në negociatë u shikua si platformë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në shtetin e Maqedonisë”.

“Marrëveshja e Ohrit vërtetoi se ‘çështja e Ballkanit’ mbetet një ‘çështje evropiane’ dhe pjesë e sovranitetit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Ajo ishte pasojë e një prej “provave” më të vështira që Brukseli tejkaloi në bashkëpunim me Uashingtonin në rajon”.

“Lufta në Maqedoni, ishte rasti i vetëm nga luftërat në ish-Jugosllavi, e cila nuk ishte zhvilluar për territore, por për status shtet-formues të qytetarëve të barabartë të këtij shteti. Lëvizja e armatosur e shqiptarëve, UÇK (komunikata nr. 6), e kishte bërë të qartë se qëllimi i luftës, nuk ishte ndarja e Maqedonisë, por një Maqedoni demokratike unike, e qytetarëve të saj të barabartë”, tha Majko.

Majko tha se ndarja e shtetit të Maqedonisë në publik, çuditërisht, u kërkua nga institucioni më i lartë shkencor i këtij shteti - Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë. Ai radhiti edhe të metat e mosrealizimit të kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja e Ohrit në 13 gusht 2001 është pranuar se shoi konfliktin, por nuk i shoi edhe burimet e këtij konflikti. Kjo marrëveshje paqësore, ruajti sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë, por nuk ruajti integritetin kombëtar të qytetarëve që nuk i përkisnin shumicës”.

“Marrëveshja e Ohrit përjashtoi ndarjet territoriale të Maqedonisë mbi baza etnike, por ruajtja e karakterit unitar të shtetit, nuk u shoqërua edhe me implementimin e garancive ligjore, me të cilat të gjithë qytetarët e këtij shteti unitar, do të jenë të trajtuar të barabartë”.

“Marrëveshja e Ohrit, u trajtua shpesh si magazinë për ‘pjesë këmbimi’ në periudha krizash politike. Kjo marrëveshje nuk u shikua nga qeverisjet e Shkupit si një dokument i garantuar ndërkombëtarisht, me detyrime të qarta ligjore dhe me afate implementuese”.

“Nuk ka dyshim se 13 gushti i kujton shoqërisë maqedonase se pas amendamenteve kushtetuese të Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit ka fuqi thuajse të njëjtë konstitucionale. Implementimi apo mosimplementimi i kësaj Marrëveshjeje është një cështje e Sigurisë Kombëtare dhe shprehëse e vullnetit politik për të ndërtuar një Maqedoni të re euroatlantike”.

“Marrëveshja e Ohrit nuk duhet t’i lihet interpretimeve të lira, gjysëmzyrtare apo ‘sportive’ të qeveritarëve të Shkupit”.

“Çdo 13 gusht, Maqedonia ka ‘takim’ me historinë dhe udhëkryqin historik të saj. Kjo datë kujton zyrtarisht se marrëdhënia me shqiptarët është pjesë e ‘themelit’ mbi të cilin ngrihet shteti i maqedonasve dhe shqiptarëve”.

“Marrëveshja e Ohrit, është dokumenti i pajtimit dhe kompromisit i cili ruajti ekzistencën shtetit që shpesh nuk e respekton as në protokollin e përkujtimit. Megjithatë, me apo pa protokoll, 13 gushti kujton se nga viti 2001, Maqedonia, nuk mund të funksionojë si para këtij viti. 13 gushti shpalli se Maqedonia është në rradhë të parë konstruksion i legalitetit të dy kombeve si bazë e një shteti multietnik”.

“Maqedonia mund të ekzistojë dhe funksionojë si shtet shumetnik dhe demokratik, i qytetarëve të barabartë vetëm me respektimin dhe implementimin e plotë të ‘shpirtit’ të Marrëveshjes së Ohrit. Kush nuk respekton atë, nuk ka kuptuar historinë dhe firmën shqiptare në këtë Marrëveshje me Historinë dhe Paqen”, ka thënë ndër të tjera Majko. /Telegrafi/

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Pandeli Majko
Pandeli Majko
 
 
Magazina
11:29 / 19.06.2013
Kim Kardashian

Kim ka xhiruar lindjen e vajzës

Procesi i lindjes së vajzës së Kim Kardashian është xhiruar, por pamjet kurrë nuk do të mund të shihen nga publiku.
Teknologji
23:29 / 18.06.2013
Huawei e interesuar ta blejë Nokian!

Huawei e interesuar ta blejë Nokian!

Aksionet e Nokia’s u rritën sot gjatë ditës, më së shumti për shkak se gjiganti kinez Huawei ka shprehur interes në bl...
Ekonomi
11:32 / 19.06.2013

Fillon ekzekutimi i subvencioneve për grurë

Ka filluar ekzekutimi i pagesave direkte për grurë me rritje për 25 për qind nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Z...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.