Maqedonia shënon 21 vjetorin e pavarësisë
Kjo festë e njohur si “Dita e pavarësisë” përkon me 8 shtatorin e 1991 me referendumin e pavarësisë së këtij vendi nga ish-federata jugosllave, por që ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët.Menjëherë pas këtij referendumi që thuhet se ishte votuar 95 për qind nga qytetarët e Maqedonisë, më 17 nëntor 1991 u soll Kushtetuta e re e vendit, e cila gjithashtu nuk u votua nga deputetët shqiptarë, për shkak se nuk avanconte të drejtat e popullsisë shqiptare.
Kjo kushtetutë 10 vite më pas përjetoi ndryshimet e para, me konfliktin e vitit 2001 nga UÇK-ja, që rezultoi me arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, e cila avancoi të drejtat shqiptare dhe që u përfshi në Kushtetutën e re të vendit, shkruan Ina.
Bullgaria ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Maqedonisë, ndërsa më pas vijuan Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina, gjithsej 133 shtete, tri prej të cilëve janë anëtare të rregullta të Këshillit të Sigurimit: SHBA, Rusia dhe Kina.
Më 8 prill 1992, Maqedonia me aklamacion u bë anëtarja e plotë e 181 e Kombeve të Bashkuara, por e njohur me emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM).
Politika e jashtme e vendit ka pësuar sfida dhe dështime të mëdha sa i përket qëndrimeve dhe politikave për mosndryshimin e emrit kushtetues Republika e Maqedonisë dhe kontestimi i këtij emri nga ana e Athinës zyrtare. Kjo politikë ka ndikuar që, Maqedonia ndërkombëtarisht të njihet si FYROM, ndërsa në marrëdhënie dypalëshe me shumë vende njihet si Republika e Maqedonisë. Pikërisht mosndryshimi i emrit kushtetues ka bërë që të vazhdoj bllokimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, për shkak të vetos greke.
Në vitin 2005 vendi përfitoi statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2008 mori rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Në vitin 2008 u bllokua anëtarësimi në NATO në Samitin e Bukureshtit, për shkak të vetos greke.
Maqedonia vazhdon të përballet me problemet e brendshme në planin e mospërmbushjes së detyrimeve rreth reformave, Marrëveshjes së Ohrit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe ngecjet në planin e integrimeve euroatlantike. /Telegrafi/