E plotësuar: Masakra në SHBA - “për një fjalë goje”!? (Foto/video)

20:20 / 14.12.2012

Debati me katër anëtare të stafit të mësuesve të shkollës Sandy Hook, tre prej të cilave tashmë janë të vdekura, duket se ka qenë shkaku i çmendurisë ekstreme të 20-vjeçarit Adam Lanza, i riu që i mori jetën 27 personave, përfshirë këtu 20 fëmijë 5 deri në 10 vjeç dhe të ëmës së tij.

Autoritetet amerikane vijojnë të hetojnë për të kuptuar se ç’e shtyu autorin drejt masakrës. Burime nga grupet hetimore citohen nga mediat amerikane, se një ditë para masakrës, 20-vjeçari ishte paraqitur në ambientet e shkollës për fëmijë.

Aty ka nisur një zënkë me katër pjesëtare të stafit pedagogjik të institucionit, mes të cilave edhe drejtoresha e shkollës, psikologia dhe një mësuese tjetër, që të tria të vdekura, ndërsa mësuesja e katërt e përfshirë në zënkën me 20-vjeçarin nuk ndodhej në ambientet e shkollës në minutat e masakrës.

Mediat amerikane e identifikojnë si Lauren Rousseau, 30- vjeç. Autoritetet kanë marrë në pyetje atë dhe pritet që dëshmia e saj të zbardhë masakrën, e për më tepër atë që ka ndodhur një ditë më parë mes katër mësuesve dhe autorit të vrasjeve./Telegrafi/


Tragjedia ka rindezur debatin në Shtetet e Bashkuara mbi ligjin për posedimin e armëve të zjarrit. SHBA njihet si vendi i industrializuar ku lehtësitë për marrjen e një arme janë të papërfillshme, kjo nën një nen tradicional të Kushtetutës që e cilëson këtë të drejtë si e drejtë e personit.

Mediat në SHBA sjellin shembuj dhe shifra tronditëse të jetëve të marra nga armët e zjarrit, pikërisht për shkak të këtyre lehtësive. CNN thotë se mbi 9 mijë amerikanë kanë humbur jetën në vitin 2011 nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara, një shifër kjo shumë herë më e lartë po të krahasohet me vendet evropiane ku ligjet për armë-mbajtjen janë të ashpra.

Si për rastësi, një sulm i ngjashëm ndaj një institucioni arsimor ndodhi edhe në Kinë, ku një person i armatosur me thikë sulmoi fëmijët e një shkollë. Mbi 20 ishin viktimat e sulmit, thotë CNN, por vetëm dy prej tyre po luftojnë për jetën, ndërsa të tjerët kanë marrë plagë të lehta.

E ndërsa përparësia tani është shërimi i zemrave të lënduara, siç do të deklaronte presidenti Obama, në ditët, javët, muajt apo ndoshta edhe vitet në vazhdim, SHBA do të ziejë nga debatet për ligjin e armëve. 


“U tmerrova, shpëtova mirë, u fsheha në një dhomë të vogël brenda në shkollë”. Ky është rrëfimi i vajzës 9-vjeçare, Venesa Bajraliu, i treguar nëpërmjet vëllait të saj.

28 persona humbën jetën në një shkollë fillore në Konektikat, pasi një i ri 24- vjeçar qëlloi me breshëri mbi nxënësit e shkollës ku mamaja e tij (edhe ajo viktimë) jepte mësim.

Mërgim Bajraliu është 17 vjeç dhe është nxënës po në atë shkollë. Në momentin e çmendurisë ai ndodhej në shtëpinë e tij bashkë me të ëmën, pak metra larg shkollës. Pasi dëgjuan të shtëna, ata vrapuan menjëherë për tek e motra, Venesa 9-vjeçare.

"Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. Motra më tha që policët i kishin kërkuar asaj dhe fëmijëve të tjerë që mbijetuan, që të mbyllnin sytë për të mos parë se ç'kishte ndodhur përreth", rrëfen Bajraliu për “Gazeta Shqiptare”.

Derisa në të gjitha mediet e huaja, emri i shqiptarit Mërgim Bajraliu përmendej si një prej dëshmitarëve kryesorë, ai u kontaktua nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku tregoi se çfarë kishte parë motra e mbijetuar dhe ai vetë dje. Bisedën do ta botojmë të plotë më poshtë.

Mërgim, ku ishe në momentin që ndodhi ngjarja?

Në momentin që ndodhi ngjarja ndodhesha në shtëpi me mamin. E kemi shtëpinë pak metra larg nga shkolla. Unë nuk kisha shkuar në shkollë. Në një moment dëgjuam të shtëna dhe atëherë edhe alarmin e policisë. Shkova me mamin me vrap tek shkolla dhe ishim ndër njerëzit e parë që mbërritën aty. Fëmijët akoma s'kishin dalë të gjithë.

Çfarë pe kur shkove atje?

Sapo mbërrita pashë tre fëmijë, dy prej të cilëve besoj se ishin të vdekur. Njëri ishte i plagosur dhe i mbuluar i gjithi me gjak. Ishte e tmerrshme.

Motrën, e gjetët?

Pas 20 minutash doli edhe motra ime, Vanesa Bajraliu. Të gjithë fëmijët që dolën ishin shumë të frikësuar, po ashtu edhe mësuesit. Ulërinin, qanin dhe vraponin sa andej-këtej.

Si është?

Është trembur shumë, por fizikisht është mirë. Ama kam një shok vëllai i të cilit vdiq. Kur e mendoj, ndihem aq keq.

Sa vjeçe është Vanesa?

Vesa është vetëm nëntë vjeçe.

Arritët ta shihnit vrasësin?

Jo. As unë e as Vesa nuk e pamë.

Çfarë ju tregoi motra?

Është e tmerruar, po për fat shpëtoi. Na tha: "Kisha shumë frikë, isha e tmerruar. I dëgjova të gjitha… Isha me shoqet dhe u futëm në një dhomë të vogël brenda në shkollë. Më pas erdhën policët që na thanë t'i mbyllnim sytë, duke na ndaluar të shohin se ç'kishte ndodhur përreth. Edhe pasi dolëm nga shkolla, policët na urdhëronin të gjithë fëmijët që të mbyllnim sytë". Këtë na tha motra.

Kishte fëmijë të tjerë shqiptarë që mund të jenë vrarë?

Unë nuk di për fëmijë të tjerë shqiptarë. Nuk besoj. Por, edhe mund të ketë.

Prindërit e tu si janë? Janë trembur?

Babi nuk është këtu, ka shkuar në Kosovë. Pasi kishin kaluar dy orë nga ngjarja, folëm me të e i treguam. Mami është trembur shumë.

Nga cili qytet i Kosovës jeni?

Jemi nga Prishtina.

Sa vite keni që jetoni në Amerikë?

Unë dhe Vanesa kemi lindur në Amerikë. Prej shumë vitesh familja jonë jeton këtej.

Në statusin e tij në Facebook, Mërgimi ka shkruar: “Shpresoj të gjeni kohën për të lexuar mbi tragjedinë në “Sandy Hook School”. Motra ime mëson atje. Dëgjova krismat që nga shtëpia. Nuk kisha shkuar sot në shkollë, por shkova pastaj menjëherë me mamanë time. Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Gjëja e parë që pashë ishte një vajzë që e nxorën jashtë. Akoma po vazhdoj t'i lutem Zotit për të. Ishte gjëja e parë që më panë sytë. Më pas fillova të lutesha për motrën time. Pesë minuta më vonë, që m'u dukën si orë, Vanesa erdhi jashtë duke qarë. Të gjithë fëmijët vrapuan jashtë me ulërima e duke qarë. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. E gjithë jeta pranë motrës, më erdhi përpara syve. Fillova të kërkoja falje me veten time, për çdo të keqe që mund t'i kem bërë asaj. Nisur nga kjo, dua t'ju them të gjithëve: Ju lutem shijojeni çdo moment të jetës pranë familjes tuaj. Është e pabesueshme se si një person i sëmurë e i pështirë mund të ndryshojë rrjedhën e gjithçkaje. Në fund, ju kërkoj të luteni për çdokënd që është dëmtuar në këtë ngjarje. Jeni të gjithë në lutjet e mia". /Telegrafi/


Pas masakrës në shkollën e Newtonit, Amerika vajton. Motivet e masakrës ende nuk janë të njohura.

"Gjërat si kjo nuk do ndodhin në Newtown”, tha për CNN mësuesja e tronditur Renee Burn.

Në 10 vitet e fundit, në këtë qytezë me 27 mijë banorë, është regjistruar vetëm një vrasje. Me 26 viktima, kjo është masakra e dytë më e madhe në historinë amerikane. Më keq se kjo ishte më 2007, kur në Universitetin Virginia Tech janë vrarë 32 persona.

"E liga ka vizituar sot këtë komunitet", tha Guvernatori i Connecticutit, Dan Malloy.

Lotët janë parë edhe në sytë e presidentit Barack Obama, i cili tha se nuk ka reaguar si president, por si prind kur merr vesh se ka ndodhur diçka.

"Zemrat tona janë thyer sot”, ka thënë ai.

"Shumica e të vrarëve janë fëmijë. Fëmijë të mrekullueshëm të moshës 5-10 vjeçare. Kishin para tyre tërë jetën: ditëlindjet, diplomat, martesat, fëmijët e tyre”, ka thënë ai teksa fshinte lotët nga fytyra.

Ndër gjashtë të rriturit që janë vrarë brenda shkollës, ishte edhe drejtoresha 47-vjeçare Dawn Hochsprung, psikologia 56-vjeçare Maria Sherlach dhe mësuesja 27-vjeçare e klasës së parë, Victoria Soto.

Media amerikane njoftojnë se Soto u vra duke mbrojtur nxënësit me trupin e saj. Hochsprung dhe Sherlach, pasi kishin dëgjuar të shtënat, kanë vrapuar për ta ndalur sulmuesin.

Për të shpëtuar fëmijët, mësuesit i kanë fshehur në dollapë dhe kabinete, ndërsa me trupat e tyre kanë qëndruar tek dera, që sulmuesi të mos futej brenda.

Janet Vollmer, një nga mësueset në kopshtin e fëmijëve që është në afërsi të shkollës, thotë për CNN se i ka mbyllur dyert e dritaret, ndërsa fëmijëve u ka lexuar tregime për t’i qetësuar. /Telegrafi/


Liderë nga e gjithë bota kanë shprehur ngushëllime për vrasjen e 20 fëmijëve dhe të paktën shtatë të rriturve nga të shtënat në një shkollë të Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se është “thellësisht i pikëlluar”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Afganistanit, Hamid Karzai, i Francës, Francois Hollande, ashtu si edhe Papa Benedicti XVI dhe kryeministri i Japonisë, Yoshihiko Noda, kanë shprehur gjithashtu keqardhje.

Sulmi i së premtes në një shkollë fillore në Connecticut është i fundit në vazhdën e disa sulmeve të ngjashme që kanë goditur këtë vit Shtetet e Bashkuara, transmeton REL.

Autori Adam Lanza, 20 vjeç, ka kryer vetëvrasje pas tragjedisë që ka shkaktuar.

Përpara sulmit në shkollë, ai ka qëlluar për vdekje edhe nënën e tij në shtëpinë e tyre. /Telegrafi/


Njëzetvjeçari Adam Lanza është sulmuesi i vërtet në shkollën “Sandy Hook” në Connecticut. Sipas policisë amerikane ai ishte autist, kishte sindromën e Aspergerit, pra çrregullim personaliteti, ndërsa ka shfaqur më herët edhe çrregullime obsesivo-kompulsive.

Mbrëmë janë vrarë në total 28 vetë, në mesin e të cilëve 20 fëmijë dhe vet sulmuesi. Sipas informatave të fundit, nënën Adami e ka vrarë në shtëpi, e pastaj ka shkuar në shkollë ku ka likuiduar gjashtë të punësuar dhe 20 fëmijë të moshës 5-10 vjeçe. Në fund e vrau edhe veten.

Edhe pse fillimisht policia ka raportuar se vrasës është 24 vjeçari Ryan Lanza, vëllai i vjetër i Adamit, kjo është bërë për shkak të ngatërresës meqë tek Adami janë gjetur dokumentet e Ryanit. CNN po ashtu ka raportuar në fillim se në mesin e të vdekurve në shkollë është edhe nëna e tij, Nancy Lanza, gjë që u demantua më vonë, pasi trupi saj u gjet në shtëpinë e tyre familjare në Newtown.

Ndryshe nga raportet e mëparshme të mediave, Nancy nuk ishte e punësuar si mësuese në shkollën ku ndodhi masakra, porse dikur ka punuar aty.

“ABC News” ka lëshuar një foto të Adamit të vitit 2005. Fqinjët e 20 vjeçarit e përshkruajnë Adamin si të çuditshëm, ndërsa mediat amerikane raportojnë se si shumë autistë ai ishte shumë inteligjent: një gjeni i llogaritjes.

Miku shumëvjeçar i familjes Lanza ka thënë për “New York Daily News” që Adami kishte vuajtur nga një çrregullim nga i cili nuk ndjente dhembje.

"Disa vjet më parë, kur ai ushtronte basketboll, të gjithë duhej të kishin kujdes që të mos binte se mund të lëndohej e ai të mos ishte i vetëdijshëm për këtë. Pos kësaj, Adam kishte edhe shumë probleme tjera mentale”.

Policia ka marrë në pyetje edhe vëllanë më të vjetër të tij, Ryan Lanza, por ai nuk është cilësuar si i dyshimtë. Në kohën e sulmit ai ishte në vendin e punës. FBI ka folur me babanë e vrasësit, Peter Lanza, nga i cili Nancy është ndarë më 2008. As ai nuk është i dyshuar për përfshirje në krim.

Peter është një partner në kompaninë e mirënjohur për kontabilitet, “Ernst & Young”, ndërsa Ryan, i cili ka ecur hapave të babait, për të njëjtën kompani ka punuar në katër vitet e fundit. Për të hedhur dritë në këtë rast, policia ka biseduar edhe me shumë kushërinj dhe miq tjerë të Lanzëve.

Por, si ia doli një i ri me çrregullime mentale të sigurojë armatim për të bërë masakër? Tek sulmuesi i vrarë policia gjeti dy revole, e po ashtu edhe armë tjera në veturën e tij. Mediat amerikane njoftojnë se shumë armë janë regjistruar në emrin e nënës së tij, Nancy Lanza, përfshirë revolet “Glock” dhe “Sig Sauer”.

Disa media raportojnë se Lanza ishte i veshur edhe me një jelek antiplumb, por as kjo deri tash nuk është konfirmuar zyrtarisht. /Telegrafi/


Ryan Lanza është personi që u fut në Shkollën Fillore “Sandy Hook” në Newton, ku vrau 27 njerëz, nga të cilët 20 fëmijë!

"Së pari ai vrau nënën e tij, një mësues në këtë shkollë, dhe 20 nxënës në klasë. Pastaj vrau edhe pesë të rritur, të punësuar në shkollë. Në fund ai e vrau veten", shkruan “New York Times”, duke theksuar se Lanza ishte 24 vjeç.

Lanza hyri në klasë, në kohën kur nëna e tij ligjëronte, shkruan “Reauters”. “NBC News” thotë se tek sulmuesi i vdekur janë gjetur dy armë.

Sipas informacioneve të pakonfirmuar deri tash, është arrestuar edhe vëllai i vogël i Lanzas. Dyshohet se edhe ai ishte i përfshirë në përgatitjen e këtij sulmi. I njëjti burim thotë se e dashura e vrasësit, si dhe një mik i tij, vlerësohen si të zhdukur. /Telegrafi/


Sipas të dhënave të fundit, në shkollën “Sandy Hook” në Newtown ishte edhe një nxënëse shqiptare, Vanesa Bajraliu.

Këtë e konfirmoi për KTV Mërgim Bajraliu, vëllai i saj. Sipas tij, Vanesa nuk ka pësuar lëndime. Ajo gjendet në shtëpi, por e shqetësuar nga ajo që të gjithë fëmijët kanë përjetuar.

I shqetësuar është edhe Mërgimi, sidomos për fatin e mësimdhënës, meqë edhe ai e ka mbaruar filloren në të njëjtën shkollë.

Ai ka deklaruar se në shkollë mund të ketë pasur edhe nxënës tjerë shqiptarë, por këtë nuk mund ta konfirmojë me siguri. /Telegrafi/


Raportet e fundit flasin për shtetasin amerikan Ryan Lanza, një 24 vjeçar nga New Jersey, që identifikohet zyrtarisht se është personi që ka sulmuar fëmijët. Ende nuk dihet nëse ai është vetëvrarë, apo e ka qëlluar ndonjë oficer policie.

Ka pasur raportime të pakonfirmuara për një person të dytë në sulm.

Mësohet sakaq se nëna dhe babai i Ryan Lanzas ishin të shkurorëzuar dhe bëhet e ditur se edhe ata po ashtu janë vrarë. E ëma e Ryanit ishte mësuese në shkollën ku ndodhi masakra.

Nga ana tjetër “Fox News” raporton se është zhdukur e dashura e Ryan Lanzas në New Jersey si dhe një shok i autorit të dyshuar të masakrës.

Sipas mediave amerikane, është konfirmuar edhe vdekja e disa mësuesve dhe drejtoreshës se shkollës “Sandy Hook”.

Presidenti Barack Obama ka folur me guvernatorin e shtetit Connecticut për t’i shprehur ngushëllime në lidhje me viktimat në shkollën fillore në këtë shtet.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, nuk ka konfirmuar detajet e të shtënave.

Telegrame ngushëllime po vijnë anekënd botës. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka ngushëlluar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e rëndë për të shtënat në shkollën fillore në Connecticut... Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të qytetarëve tuaj dhe për dhimbjen shkaktuar familjeve dhe popullit amerikan nga kjo ngjarje e rëndë. Në këtë kohë zie dhe pikëllimi për vendin tuaj, mendimet dhe lutjet tona janë me popullin amerikan në këtë kohë të vështirë”, thuhet në telegrafmin e Jahjagës.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ka ngushëlluar Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Hoxhaj ka shprehur dhembjen dhe pikëllimin e madh për këtë akt kriminal, i cili u mori jetën dhjetëra personave, shumica prej të cilëve fëmijë.

“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po bashkëndjejnë dhembjen dhe pikëllimin me familjet të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, duke iu bashkuar lutjeve të popullit amerikan”, thuhet në telegram. /Telegrafi/ 


E plotësuar - Në shkollën fillore “Sandy Hook”, në qytetin Newton - shtetin amerikan Connecticut - ka pasur të shtëna, raporton “ABC News”. Aty janë vrarë 27 njerëz, përfshirë 18 fëmijë, shkruan AP duke cituar burimet lokale policore.

I vrarë është edhe një nga dy sulmuesit. “NBC News” raporton se tek sulmuesi i vdekurit janë gjetur dy pistoleta. Sipas disa raporteve, policia në vendin e ngjarjes arrestoi edhe një person. Por, ABC raporton se person i dytë i armatosur është në arrati. Njëri nga sulmuesit ishte 24-vjeçar, i cili ishte i armatosur me katër armë zjarri. Ai ishte i veshur me një jelek antiplumb.

"Sulmuesi është qëlluar brenda në shkollë. Skena e krimit është siguruar. Nuk ka rrezik për publikun", ka thënë zëdhënësi i policisë lokale, Paul Vance.

Një prind i cili ishte në shkollë, në kohën e të shtënave, tha për CNN se në korridor ka parë shumë njerëz “në një pishinë të gjakut”.

Disa persona u plagosën dhe midis të plagosurve është të paktën një mësues. Te spitali lokal janë pranuar tre persona. Kryetari i Bashkisë, Mark Boughton, ka konfirmuar se fjala është për lëndime të rrezikshme.

"Unë kam qenë në orën e fizkulturës, kur kemi dëgjuar shtatë të shtëna të zëshme. Shpejt ka ardhur një polic që tha të dalim jashtë, gjë të cilën e bëmë”, tha një nxënëse për televizionin lokal.

Gazeta lokale “The Bee Newtown” raportoi se të shtënat kanë ndodhur brenda shkollës. I njëjti burim njofton se një oficer i policisë nga shkolla ka dalë me një fëmijë të plagosur që mbante në duar.

Në shkollë ku ndodhën të shtënat kanë qenë edhe fëmijët të moshës së kopshtit dhe nxënës të katër klasave të para të shkollës fillore.

Kjo është vetëm një nga shkollat që gjendet në të ashtuquajturin qark shkollor. Drejtoresha e qarkut, Kathy June, ka thënë se të gjitha shkollat në Newton janë mbyllur, si një masë paraprake.

Informacionet rreth viktimave nuk janë konfirmuar zyrtarisht. /Telegrafi/ 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.