Masakër në Siri
Më shumë se 200 vetë janë raportuar të vrarë në Siri, disa orë para se Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka planifikuar të votojë pro projekt-rezolutës që ka për qëllim të ushtrojë presion mbi qeverinë e Bashir al-Assadit, për t'i dhënë fund muajve të gjatë së dhunës mbi demonstruesit. Takimi është planifikuar të fillojë në orën 10 të mëngjesit të së shtunës, sipas orës lokale. Nuk ishte ende e qartë nëse Rusia, anëtare këshillit, do të vazhdonte me veton e saj ndaj draftit apo jo.
Observatori Sirian opozitar për të Drejtat e Njeriut tha të shtunën herët se 217 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, ishin vrarë në Homs në atë çfarë grupi e karakterizoi si një "masakër".
”OKB nuk po bën asgjë në lidhje me të. Liga Arabe nuk është duke bërë asgjë në lidhje me të... Ndërkohë që ata janë duke zhvilluar diskutimin e tyre të vogël, njerëzit janë të ulur këtu dhe janë duke vdekur. Nuk bëhet fjalë për kafshë, por për qenie njerëzore. Kjo që po ndodh nuk është një lojë", thotë një aktivist, që rrjeti CNN e identifikoi si Danny.
Ai foli edhe për “bombardim të vazhdueshëm” dhe raportoi prezencën e snajperave.
Nga të vrarët në Homs, 138 ishin në lagjen e Khaldiya ku bombardimet vazhdojnë, bazuar në raportimet e grupit të opozitës.
Ndërkohë, mediat shtetërore në Siri i kanë përgënjeshtruar raportet se forcat ushtarake janë për tu fajësuar për vrasjen e më se 200 njerëzve në qytetin qendror, Homs.
Agjencia shtetërore e lajmeve “Sana” për këto vrasje i ka fajësuar “grupet e armatosura terroriste” dhe ka vlerësuar se raportet për involvim të ushtrisë janë “të pavërteta”. /Telegrafi/