Mbi 50 mijë persona kërkojnë librezën e veteranit të UÇK-së
Është mbajtur takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së. Sipas të dhënave nga të gjitha komunat e vendit, vetëm për statusin e veteranit të UÇK-së kanë aplikuar mbi 50 mijë persona, mbi 4 mijë për statusin e invalidit dhe mbi 2 mijë familjarë kanë aplikuar për njohjen e statusit të familjeve të dëshmorit.
Agim Çeku, kryetar i Komisionit qeveritar për vlerësimin e statusit të veteranit, invalidit, dëshmorit dhe pjesëtarit të UÇK-së, tha se këto të dhëna nuk janë përfundimtare sepse ka mbetur edhe një numër i madh aplikacionesh të pa dorëzuara.
Sipas tij, afati për dorëzimin e tyre është shtyrë deri më 15 mars.
Çeku gjithashtu bëri të ditur se komisioni tashmë është duke punuar në përcaktimin e kritereve dhe kategorizimin e aplikuesve dhe përcaktimin e kritereve për çdo kategori.
Komisioni do t’i shqyrtoj të gjitha aplikacionet duke mos vepruar nën presionin e kohës, tha në fund Çeku. /Telegrafi/