Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut - element themelor në funksionimin e shtetit modern

3:06 / 9.12.2011

Mbrojta e lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtyllë kryesore në funksionimin normal të shteteve demokratike sepse nga respektimi i të drejtave dhe lirive varet drejtpërdrejt zhvillimi politik, ekonomik dhe juridik i një shteti demokratik. Këtë e kanë dëshmuar shtetet euro - perëndimore (skandinave) ku respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut ka arritur në zenit dhe janë shtetet më të fuqishme ekonomike, sociale dhe demokratike.

Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut ka ardhur si rezultat i ndikimit të shumë faktorëve të ndryshëm por më i rëndësishëm është shkaktimi i dhunës apo luftërave të padrejta që kanë ndodhur përgjatë gjithë periudhave historike të njerëzimit. Në përgjithësia ka qenë e rrezikuar kategoria e pleqve, grave dhe fëmijëve pasiqë në aspektin natyror këta janë më të subordinuar ndaj shtresës tjetër të cilët kanë mundësi të shkaktojnë luftëra të përmasave katastrofike njerëzore.

Pikërisht në ato raste kur janë shkelur në masë të madhe të drejtat dhe liritë e njeriut kemi iniciativa për t’i mbrojtur ato dhe historia e njerëzimit i njeh disa dokumente të rëndësishme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut si:

- Kodi i Hammurabit (2130-2088 p.e.r) në Babiloni (i vjetër sa njerëzimi);
- Kurani dhe “Hadithet” (virtytet morale dhe politike);
- Ligji Krishter (e drejta kanonike);
- Karta e Mardhe e Lirive (Magna Carta Libertatum -1215);
- Karta e të Drejtave të Njeriut (Bill of rights 1689);
- Deklarata për Pavarësinë e SHBA-ve 1776;
- Deklarata për të Drejtata e Njeriut dhe Qytetarit 1789;
- Revolucioni Francez me moton “Liri, Barazi, Vëllazëri”;
- Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut e shpallur me 10 dhjetor 1948;
- Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, 1950;
- Pakti Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike;
- Pakti Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, etj.

Aktet juridike ndërkombëtare të cilat kanë krijua stabilitet institucional ndërkombëtare dhe shtetëror janë: Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Garantimi i Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut

Miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut më 10 dhjetor 1948, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme që ndodhi pas katastrofës të luftës së Dytë botërore. Duke e analizuar rëndësinë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, angazhimin shekullorë për garantimin dhe mbrojtjen e tyre, mund të vijmë në përfundim se Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut – DUDNJ, i ka rrënjët e saj qysh në antikën e hershme e përgjatë tërë historisë botërore e gjerë në miratimin e saj, e sidomos duke përfshirë ngjarjet katastrofave që ndodhën në luftën e Dytë Botërore. Kjo luftë dhe mizoritë e saj marramendëse, siguruan bazën e drejtpërdrejt për ta hartuar Deklaratën dhe për ta miratuar atë. Në ndërkohë duke u mbështetur në pasojat e katastrofave që la lufta, u vunë themelet për konsensus të gjerë mbi nevojën e ndërtimit të një rendi të ri ligjor të karakterit botëror. Në këtë drejtim një nga idetë më kuptimplote të vizionit mbi rendin e ri ligjor ndërkombëtar ishte mesazhi i Presidentit Amerikan Franklin D. Roosvelt, dërguar Kongresit Amerikan, i cili i referohej katër lirive, të cilat parashihte të jenë qëllime të rendit të ri botëror, të cilat duhet ndërtuar pas katastrofës së luftës, këto katër liri ishin: Liria e të shprehurit, Liria e të besuarit, Liria nga skamja dhe Liria nga frika.

Para se të miratohej DUDNJ, kishte disa mosmarrëveshje ndërmjet shteteve lidhur me atë se si do të quhej ky dokument Deklaratë apo Konventë dhe kështu shtetet ishin ndarë në dy grupe, ku përfaqësuesit e Kinës, BRSS, SHBA dhe Jugosllavisë ishin përkrahësit më të mëdhenj që ky Dokument mbi të drejtat e njeriut të quhej Deklaratë, i cili sipas tyre formalisht do të ishte jo obligues, ndërsa përfaqësuesit e grupit tjetër nga Australia, India dhe Britania e Madhe ishin që ky Dokument për të drejtat e njeriut të quhej Konventë obliguese. Nga kjo pra shihet se problemi ishte i karakterit politik ndërkombëtarë. Pas gjithë kësaj dhe përfundimisht pas tri vjetësh nga miratimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme e OKB-ës e miratoi dhe shpalli si Deklaratë të Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut (10 dhjetor 1948). Kjo Deklaratë u miratua njëzëri pasi që për të kishin votuar 48 shtete; kundër nuk ishte asnjë, ndërsa 8 shtete kishin abstenuar (BRSS, Polonia, Çekosllovakia, Ukraina, Bjellorusia, Jugosllavia, Afrika e Jugut dhe Arabia Saudite). Megjithatë kjo Deklaratë në hyrje të saj proklamon se njohja e dinjitetit të njeriut, të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë. Kjo deklaratë dallohet nga të gjitha tekstet klasike për të drejtat e njeriut, sepse për herë të parë i ndërlidhë të drejtat civile, politike dhe të drejtat ekonomike, sociale e kulturore (Shih librin e Prof.Dr.sc.Zejnullah Gruda, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut”, Prishtinë, 2001, fq. 15).

DUDNJ ka preambulën dhe 30 nene, ku përfshihen një numër i madh i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në kuadër të DUDNJ-ës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ndahen në dy grupe:
1). Të drejtat civile e politike, nenet 4-21 dhe
2). Të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, nenet 23-27.

Në kuadër të grupit të drejtave civile dhe politike bëjnë pjesë: e drejta për jetë, liri dhe siguri personale, liria nga skllavëria dhe nënshtrimi, liria nga tortura dhe veprimet ose dënimet e panjerëzishme, liria nga burgosja ose paraburgimi arbitrarë, e drejta në gjykim të drejtë dhe publik para gjyqit të pavarur dhe asnjanës, e drejta për t’u konsideruar i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia, liria nga përzierja arbitrare në jetën private, familje, banesë ose korrespodencë dhe ndalimi i sulmeve mbi nderin dhe emrin e mirë, liria e qarkullimit dhe e zgjedhjes së vendqëndrimit, liria e kërkimit dhe e gëzimit të azilit në rast ndjekjeje, e drejta në një shtetësi, e drejta për lidhje martese dhe krijim familjeje, e drejta e pronës, liria e mendimit, bindjes dhe besimit, liria e shprehjes së lirë të mendimit, e drejta e mbajtjes së tubimeve paqësore dhe e bashkimit dhe e drejta e votës dhe për të marrë pjesë në qeverisje në punët publike. Ndërsa në kuadër të grupit për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore bëjnë pjesë: e drejta në sigurimin social, e drejta në punë, në mbrojtje nga papunësia dhe e drejta në pagë të njëjtë për punë të njëjtë, e drejta në standard të jetesës, i cili siguron shëndetin dhe mirëqenien e secilit dhe të familjes dhe e drejta në sigurim në rast të papunësisë, sëmundjes, paaftësisë, pleqërisë, e drejta në shkollim dhe e drejta për të marrë pjesë në jetën kulturore të bashkësisë (Shih Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, të miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-ës me Rezolutën e saj 217 A (III) të datës 10 dhjetor 1948).

DUDNJ-e, pasi që ishte miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës në formë të Rezolutës dhe jo në formë të traktatit ndërkombëtarë, atëherë shtetet nuk morën detyrime ndërkombëtare për ta zbatuar këtë akt, por morën vetëm obligime morale. Megjithatë, në shumicën e shteteve në Kushtetutat dhe legjislacionin e tyre u përfshinë parimet themelore mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo Deklaratë dhe akte të tjera të karakterit ndërkombëtarë, pavarësisht mënyrës së miratimit dhe fuqisë së tyre juridike, sot janë bërë si parakushtet kryesore të cilat një shtet duhet t’i ketë përfshirë në Kushtetutë dhe legjislacionin e tij, në mënyrë që ky shtet të ketë mundësi të integrohet në strukturat Euro - Atlantike.

Garantimi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut konsiderohet Kushtetutë Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është dokument i cili është nxjerr nga Këshilli i Evropës dhe është miratuar më 4 nëntor 1950 në Romë, ndërsa ka hy në fuqi më 3 shtator 1953 ku si bazë ligjore të krijimit të saj ka Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948.

Konventën kanë arritur ta nënshkruajnë pothuajse gati të gjitha shtetet e Evropës ku në mesin e tyre është edhe Republika e Shqipërisë dhe shpresojmë që shumë shpejt pjesë e Këshillit të Evropës të jetë edhe Republika e Kosovës në mënyrë që të ketë mundësi ta nënshkruaj Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ngase është parim ligjor sepse për ta nënshkruar Konventën do të thotë duhet me qenë anëtar i Këshillit të Evropës.

Me Konventë garantohen disa nga të drejtat themelore të njeriut: e drejta për jetë, të gjithë janë të mbrojtur nga tortura, është e ndaluar skllavëria dhe askush nuk mund të kryen punë skllavërie, garantohet e drejta e lirisë dhe e sigurisë individuale, çdo njeri ka të drejtë në proces gjyqësor të drejtë dhe publik, çdo njeri ka të drejtë për respektimin e jetës së tij private dhe familjare, garantohet e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, liria e shprehjes garantohet, e drejta e lirisë së tubimit paqësor dhe bashkimit, e drejta e martesës dhe krijimit të familjes etj.

Nga hyrja në fuqi e kësaj konvente janë themeluar dy institucione të cilat janë mekanizëm i fortë në zbatimin dhe garantimin e dispozitave të kësaj Konvente, ato janë: Komisioni Evropian për të drejtat e njeriut dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Komisioni Evropian për të Drejtat e Njeriut ka për qëllim dhe punë kryesore që të bëjë shqyrtimin e kërkesave që i parashtrohen Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës nga ana e palëve të cilat janë viktima të shkeljes së të drejtave dhe këto kërkesa mund të paraqiten nga vetë individët, shoqatat, organizatat e ndryshme dhe nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës gjegjësisht nënshkruese të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është institucion shumë i rëndësishëm dhe mekanizëm kryesor në implementimin e dispozitave të Konventës sepse në përbërjen e tij ka aq gjyqtarë sa janë palë nënshkruese të Konventës (dy gjyqtarë nuk mund të jenë nga i njëjti shtet). Gjyqtarët zgjidhen nga ana e Këshillit Konsultativ me një mandat nëntë vjeçar dhe duhet t’i plotësojnë kriteret bazë për të qenë pjesë e Gjykatës: të jenë me përvojë, virtyte të larta morale, profesionale dhe familjare, të kenë reputacion të lartë nga shteti ku vjen dhe të kenë përgatitje profesionale (shkollim universitar). Kjo Gjykatë ka kompetencë për t’i zgjidhur vetëm ato raste që përbëjnë shkelje të dispozitave të Konventës dhe që vijnë nga shtetet pale nënshkruese të Konventës

Përfundimi

Si bazament i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe si aktet më të rëndësishme konsiderohet të jenë: Magna Carta në Angli e vitit 1215 dhe Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit në Francë e vitin 1789.

Pas luftës së dytë botërore u nxjerrën këto akte shumë të rëndësishme: Karta e OKB-ës, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive Themelore të Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, e shumë akte të tjera të cilat i garantojnë dhe i mbrojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Sa i përket zbatimit të këtyre akteve, një standard të përfshirjes së tyre në legjislacionin e saj e ka arritur edhe Republika e Kosovës përmes Kushtetutës (2008), kapitulli i dytë që i referohet të drejtave dhe lirive themelore ku janë të përfshira aktet kryesore ndërkombëtare që i mbrojnë dhe garantojnë të drejtat dhe liritë themelore (shih Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 22, Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare).

(Flamur Hyseni është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Burim Haliti ka thirrjen shkencore Master i shkencave juridiko – financiare)

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.