Miratohet Projektligji për konfiskimin e pasurisë
Është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në lexim të parë, “Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale”, i cili ka kohë që është përfolur se si i tillë nuk e konfiskon pasurinë e paligjshme, por e amniston atë.Gjatë debatit në Kuvend, partitë opozitare e kanë kundërshtuar votimin e këtij projektligji, duke e konsideruar atë si të mangët dhe që nuk e arrin qëllimin e duhur.
Gjatë debatit në Kuvend rreth këtij ligji, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ishte kundër duke e kundërshtuar atë në thelb, duke sugjeruar që ai të plotësohet.
Edhe AAK-ja e ka kundërshtuar projektligjin, pasi që ka konsideruar se si i tillë nuk i përmbush kërkesat e nevojshme në qëllimin për të cilin është i dedikuar, duke rekomanduar që të bëhen ndryshime në të. Ahmeti Isufi nga Grupi Parlamentar i AAK-së, ka thënë se ky projektligj duhet t’i kthehet Qeverisë për ndryshim dhe plotësim, në mënyrë që ta kemi një ligj që vërtet e lufton pasurinë e paligjshme.
Në emër të koalicionit të AKR-së, deputetja Myzejene Selmani, ka thënë se është mirë që të merren parasysh rekomandimet që dalin nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të nxjerrët ligji më i mirë i mundshëm.
Po ashtu edhe LDK-ja lidhur me këtë projektligj ka thënë se miratimi i tij në formën si është amniston pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme, duke e kundërshtuar kalimin e këtij projektligji.
Kurse deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë projektligjin për konfiskimin e pasurisë, duke shtuar se vonesa e miratimit të tij u jep mundësi të gjithë atyre që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme që ta vazhdojnë shprehinë e tyre të pasurimit.
Pasi u thanë të gjitha nga deputetët, në foltore doli ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili e mbrojti projektligjin e propozuar për miratim në Kuvend.
Ai tha se kur bëhet fjalë për ligjin për konfiskimin e pasurisë, menjëherë krijohet një pasqyrë në 20 apo 30 veta në Kosovë. Por, sipas tij, nuk duhet harruar se ligji krijohet për të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për ata në fshatrat më të thella, i cili nuk e dinë se nga e ka përfituar pasurinë gjyshi i tij.
Pas fjalimit të Kuçit, deputetët nuk patën mundësinë ta marrin fjalën, por menjëherë u procedua për votim, duke u votuar kështu në lexim të parë “Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale” me 41 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime. /Telegrafi/