Moska kërkon shpjegime nga Ankaraja
Rusia ka kërkuar shpjegime nga Ankaraja, pasi autoritetet e saj kanë ndaluar një aeroplan civil të Sirisë që udhëtonte nga Moska për në Damask.Ministria e Jashtme ruse ka thënë se zyrtarët turq nuk kanë lejuar stafin diplomatik të Rusisë të kontaktojë me 17 shtetasit rusë, që ndodheshin në bordin e aeroplanit.
Aeroplani është lejuar të largohet pas tetë orësh qëndrimi në Aeroportin e Ankarasë dhe pasi një pjesë e ngarkesave të tij është konfiskuar.
Raporte të pakonfirmuara thonë se materiali i konfiskuar përfshin pajisje ushtarake të komunikimit, transmeton Rel.
Qeveria e Sirisë ka akuzuar Turqinë për “pirateri ajrore”. Turqia ka vendosur embargo armësh ndaj Sirisë, vitin e kaluar.
Tensionet mes dy vendeve kanë arritur kulmin kur një predhë e Sirisë ka goditur javën e kaluar në territorin turk, duke vrarë pesë civilë.
Turqia është përgjigjur me sulme artilerie. /Telegrafi/