MSA – hap i madh drejt integrimeve

19:13 / 1.07.2013

Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila nga krerët e shteteve evropiane është miratuar për Kosovën, është hapi më i madh dhe më domethënës deri më tash, ta cilin e ka arritur vendi në procesin e integrimeve evropiane, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të integrimeve në vend.

Vlerësime të tilla janë bërë edhe nga drejtuesit e institucioneve qeveritare përgjegjëse për integrime evropiane.

Vlora Çitaku, ministre e Integrimit Evropian, ditë më parë ka theksuar se “MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se ka qenë e dukshme që Qeveria e Kosovës ka qenë e angazhuar më shumë politikisht për arritjen e rezultateve pozitive në integrime.

Sipas tij, deri më tash janë dy arritje të mëdha në procesin e integrimeve, duke e llogaritur hapjen e negociatave për MSA, si arritjen më të madhe.

“E arritura më e madhe është që ne po i fillojmë negociatat dhe do ta nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim. Është hapur edhe dialogu për liberalizim të vizave. Mendoj se këto janë arritje signifikante, janë edhe të mëdha. Çka duhet më shumë me ndodhë, është që qeveria dhe institucionet tjera relevante duhet të thellohen në ndërmarrjen e reformave evropiane, gjë që nuk e kanë bërë deri më tash".

"Përderisa reformat evropiane nuk përdoren si model për zhvillimin e Kosovës, për gjenerim të punësimit, për krijimin e kushteve më të mira për biznes, ne nuk kemi përfitime të drejtë për drejta nga ky proces”, u shpreh Muharremi.

Mendim të ngjashëm ka edhe Emrush Ujkani, njohës i të drejtës së Bashkimit Evropian, i cili i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova është bërë edhe formalisht pjesë e agjendës evropiane.

“Ajo çka duhet të nënvizojmë, në aspektin formal, Kosova bëhet pjesë e agjendës evropiane, nga dita e premte. Do të thotë, me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili më nuk është rekomandim, por është vendim, që fomalizon, respektivisht, i jep autoritetin negociues Komisionit Evropian që t\'i hapë negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Kosovën, me qëllim që kjo e fundit të ecë përpara sikurse të gjitha vendet tjera të rajonit të Ballkanit perëndimor, të cilat, edhe ato në një kohë të mëhershme kanë kaluar nëpër këtë proces”, tha Ujkani.

Në anën tjetër, përvoja nga vendet e rajonit tregon se negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit kanë zgjatur me periudha të ndryshme kohore.

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku ditë më parë ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të gatshme për të negociuar për këtë marrëveshje.

“Ne jemi të gatshëm që këtë marrëveshje ta negociojmë në një afat shumë të shkurtë kohor. Sidoqoftë, Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të negociatave, do të udhëhiqet e bazuar në parimet e interesit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, për përshpejtimin e agjendës evropiane dhe interesave ekonomike, duke mbrojtur prodhuesin dhe ekonominë vendore”, tha Çitaku.

Megjithatë, njohësit e rrethanave integruese kanë mendime të ndryshme lidhur me kohën që do t’i nevojitet Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, duke u bazuar në dinamikën e deritashme.

Ata po ashtu vlerësojnë se duhet sqaruar opinionit se kjo marrëveshje dhe çështja e liberalizmit të vizave janë të ndara, pavarësisht se ndërlidhen në disa pika.

Muharremi vlerësoi çështja e kësaj të fundit, do të zgjasë më shumë.

“Bazuar në dinamikët që e kemi, sigurisht që këtë vit Kosova nuk ka për të hyrë në ‘listën e bardhë’ për liberalizim. Nëse hyn në fund të vitit të ardhshëm, mendoj se kishte me qenë sukses. Për MSA-në, ne shpresojmë që shpejt ka për t\'u nënshkruar, për shkak se Kosova nuk ka shumë interesa ekonomike për të negociuar me BE-në”, tha Muharremi.

Por ndryshe mendon Ujkani, i cili vlerëson se është tejet optimiste të besosh se liberalizimi i viave mund të ndodhë deri në fund të vitit 2014.

“Nëse liberalizimi i vizave do të ndodhë në fundin e vitit 2014, mendoj se të gjithë ne si shoqëri duhet të jemi shumë të kënaqur me këtë. Sa i përket MSA-së, mendoj se parametrat flasin që këto negociata mund të hapen gjatë këtij viti, por hapja e negociatave nuk do të thotë që kjo edhe do të konkludohet menjëherë, brenda një periudhe shumë të shpejtë”, theksoi ai.

Ndryshe, njohësit e rrethanave integruese evropiane, kanë vlerësuar se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të fillojë seriozisht dhe t\'i përfundojë reformat kyçe, duke filluar nga reforma zgjedhore, administrata publike, sundimi i ligjit dhe reformat për punësim dhe ekonomi. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.