Mundësi për legalizimin e ndërtimeve të egra?
Ndërtimet e egra, kryesisht të bëra pas përfundimit të luftës, e kanë edhe një mundësi për t’u bërë legale. Kuvendi i Kosovës, së shpejti pritet që të shqyrtojë në lexim të parë Projektligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Vetë kryeqyteti është më i prekuri nga kjo dukuri, derisa arkitektët thonë se mos-zbatimi dhe ndryshimi i shpeshtë i planeve urbanistike ka sjellë këtë gjendje.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, thotë se me anë të projektligjit, po tentohet të hiqet barra e legalizimit të objekteve nga qytetarët dhe të kalohet tek institucionet, transmeton KTV.
Sipas Gashit, qytetarët janë detyruar të vazhdojnë ndërtimet në forma ilegale shkaku i procedurave të ngarkuara për të marrë leje ndërtimi.
“Një prej kritereve bazë për t’u legalizuar një ndërtim pa leje, është që prona të mos jetë e kontestueshme”, thotë Gashi, ndërsa shton se tashmë është përfunduar procesi i aero-fotografimit ku janë evidentuar ndërtimet pa leje. /Telegrafi/