Mustafa dhe Kurti koordinojnë veprimet e opozitës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë takuar sot, me ç’rast kanë biseduar për proceset aktuale politike në vend, me theks të veçantë në koordinimin e qëndrimit të opozitës lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë.Në takimin mes Mustafës dhe Kurtit është biseduar për procesin e reformës zgjedhore. Të dy liderët kanë shprehur gatishmërinë për ta çuar përpara këtë proces.
Sipas njoftimi të lëshuar nga LDK-ja, Mustafa dhe Kurti kanë biseduar për proceset politike, përfshirë edhe dialogun me Serbinë.
Mustafa ka theksuar edhe një herë se LDK-ja kërkon transparencë të plotë në këtë proces, si dhe respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Një pikë qendrore e takimit ka qenë diskutimi i mundësive për të bashkërenduar rolin e subjekteve opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës për çështje lidhur me të cilat ka qëndrime të njëjta ose të përafërta, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja. /Telegrafi/