Mustafa: Harrnimi i qeverisë mbi votat e abuzuara - i paarsyeshëm

19:31 / 20.12.2012

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se qeveria duhet të sqarojë marrëveshjet me Serbinë, meqë ato po nxisin mëdyshje. Ai theksoi se çështja e veriut të Kosovës nuk mund të zgjidhte pa trysninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian mbi Serbinë, e cila synon të mbajë peng Kosovën nëpërmjet veriut të saj.

Në lidhje me procesin e bisedimeve me Serbinë, Mustafa tha se ajo çfarë po del tani në opinion nga goja e pjesëmarrësve të Serbisë në bisedime dhe ajo çfarë është thënë nga kryeministri i Kosovës, nuk ka përputhshmëri të fortë,

“Prandaj, mund të ketë dilema edhe në opinion edhe tek ne se çfarë vërtetë janë marrëveshjet përfundimtare, qoftë edhe marrëveshja për menaxhimin e kufijve”, thotë kreu i LDK-së për “Zërin e Amerikës”.

Sipas tij, përvoja nga e kaluara na flet se vështirë mund të arrijmë me Serbinë të merremi vesh.

“Dhe, unë dyshoj që është e mundur që të arrijmë ndonjë marrëveshje të themi, në këtë përbërje, me Serbinë. Marrëveshja mund të arrihet vetëm me një trysni shumë më të madhe të faktorit ndërkombëtar, në rend të parë të SHBA dhe BE-së. Ndryshe, Serbia nuk respekton asgjë”.

Mustafa thekson se Serbia nuk dëshiron që problemet të zgjidhet, por që Kosovën ta mbajnë peng përmes veriut dhe që të imponojnë dëshirat e dhe apetitet të cilat i kanë pasur më parë në Kosovë.

Kur është fjala për veriun e Kosovës, kreu i LDK-së thekson se këtë problem nuk mund ta zgjidhim me bisedime, sepse në asnjë moment serbët nuk do të pajtohen që t’i tërheqin mbi dy mijë trupa që i kanë atje, qoftë të MPB-së, qoftë të shërbimeve të tyre informative, qoftë të trupave tjerë që i mbajnë atje...

“Ajo që ne duhet të bëjmë, është që ne maksimalisht të mundohemi të vendosim vija komunikimi me popullatën serbe atje, jo me strukturat e Serbisë që janë në veri të vendit dhe ata që janë të dirigjuar nga ato struktura; që të punojmë në zhvillimin ekonomik, arsimor, social dhe integrimin e asaj pjese, sepse kemi informata që njerëzit atje nuk janë shumë të lumtur me atë çfarë po përjetojnë nga trysnia e grupeve paralele të cilat kryesisht janë për interesa ekonomike, për evazion fiskal, për përfitime të ndryshme ekonomike... Por, ne nuk mund ta zgjidhim atë problem nëse BE nuk është e përkushtuar dhe nuk është e vendosur që t’i bëjë trysni Serbisë, që të tërheq forcat e veta paramilitare dhe forcat tjera nga veriu i vendit”.

Sa i përket reformës kushtetuese, Mustafa thotë se marrëveshja nuk është zbatuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Nuk kanë treguar vullnet te zbatohet duke u thirrur në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, ai vendim nuk e pengon që marrëveshja të zbatohet, sepse ka mundësi të tjera. Me marrëveshje nuk është përcaktuar se a do të shkojmë në zgjedhje përmes amendamentit të dhjetë ose përmes shkurtimit me Kushtetutë të mandatit të presidentit ose presidentes, apo forma të tjera. Është thënë se mandati i presidentit zgjatë gjashtë muaj pasi që të bëhet ndryshimi i kushtetutës që do të zgjasë mes gjashtë dhe nëntë muajve. Do të thotë çështja ka mbetur aty”.

Mustafa thekson se LDK nuk ka arsye të votojë ndryshimet kushtetuese që nuk janë në harmoni me marrëveshjen që e arritur, sepse, përmes kësaj, “ne tregojmë se nuk jemi konsekuentë në marrëveshje dhe përmes kësaj ne praktikisht ju japim fuqi atyre që nuk respektojnë marrëveshjen”.

Jahjaga ishte prodhim i marrëveshjes dhe ajo i ka pranuar kushtet e kësaj marrëveshjeje, ndaj Mustafa kërkon që të kemi një president që i përmbahet një marrëveshjeje, pa marrë parasysh a është involvuar drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte në atë marrëveshje.

“Po ashtu një president, përkatësisht presidente, duhet të shpreh vullnetin politik të qytetarëve dhe të subjekteve politike. Tash ajo (Jahjaga) nuk mund të shpreh vullnetin politik të votuesve të LDK-së, sepse i ka marrë votat e deputetëve të LDK-së si vota që janë dhënë për një rast të caktuar dhe për një periudhë të caktuar kohore. Ajo votë nuk është mirë të shkelet, sepse pastaj ne nuk do të japim besimin që ajo të shpreh edhe vullnetin tonë, për arsye se në një formë atë vullnet po e shkelë”.

Nëse rastësisht presidentja Jahjaga vendosë ta paraqes dorëheqjen e saj, kjo për LDK-në nuk paraqet krizë të re institucionale.

“Ne nuk do të hyjmë në asnjë krizë, për arsye se do të shpallen në mënyrë të rregullt zgjedhjet për president. Derisa të zgjidhet, presidentja e tanishme, me një vendim të kuvendit, ose sipas mandatit që i takon, do të kryente detyrën e presidentes dhe ne nuk shohim asnjë arsye që të kemi vakum ose krizë institucionale. Është çështje vetëm e një marrëveshjeje që ne t’i hyjmë një procesi që e çojmë bashkërisht deri në fund”.

Për LDK-në, mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, vitin e ardhshëm, do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Vetë fakti se ne jemi ulur dhe kemi bërë një marrëveshje që të shkurtohet mandati i kësaj qeverisjeje dhe parlamentit, ka pasur një arsye me të cilin jemi pajtuar të gjithë. Është pajtuar edhe PDK, jemi pajtuar edhe ne. Edhe AKR është pajtuar, edhe faktori ndërkombëtarë që ka ndërmjetësuar këto bisedimet tona. Qëllimi ka qenë se ne kemi pasur shume të meta gjatë procesit, ka pasur shumë abuzime me votat dhe nuk është e arsyeshme që njerëzit që kanë ardhur me vota të abuzuara ta qeverisin katër vjet këtë vend. Nëse e kemi parë të arsyeshme që ta tejkalojmë atë problem për arsye të stabilitetit politik të vendit, kjo nuk do të thotë që ne duhet t’u krijojmë një komoditet strukturave që kanë ardhur me atë votë të abuzuar që ato ta qeverisin këtë vend katër vjet”, thekson Mustafa.

Kur është fjala te deklarimet për koalicionet e reja apo dëshirave që të ndërrohet edhe kryeministri i vendit, kryetari i LDK-së thotë se kryeministri i ardhshëm i Kosovës duhet të vijë në bazë të votës - nga partia që merr shumicën e votave ose koalicionet.

“Çdo harrnim në këtë periudhë, nuk do të sigurojë asnjë qeverisje, asnjë të mirë kësaj demokracie të këtij vendi... Të gjithë kemi thënë se janë abuzuar votat dhe nuk ka asnjë arsye që ne të bëjmë turr dhe të themi: hajde po bëjmë njëfarë koalicioni të ri mbi këto vota të abuzuara, sepse ne mund të qeverisim pak më ndryshe sesa që qeverisë Hashim Thaçi apo dikush tjetër që është tash”, thotë Mustafa në fund të intervistës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.